Kurti në Ditën Botërore të Fëmijëve: Fëmijët e sotëm nesër do ta zhvillojnë e përparojnë vendin tonë

Prishtinë | 20 Nën 2022 | 14:02 | Nga Ekonomia Online

Sot është mbledhur Komiteti Ndërministror për të Drejtat e Fëmijëve me rastin e Ditës Botërore për të Drejtat e Fëmijëve, ku i pranishëm ka qenë edhe kryeministri Kurti. Gjatë fjalës së tij, Kurti ka bërë thirrje për të krijuar mundësi për secilin fëmijë për të ardhme gjithëpërfshirëse e të barabartë.

Kurti tha se fëmijët janë pjesa më e rëndësishme e secilës shoqëri.

“Nuk ka dyshim që fëmijët janë pjesa më e rëndësishme e secilës shoqëri. Përfshirë shoqërinë tonë. Janë fëmijët e sotëm ata që nesër do të ndërtojnë institucione të reja e do ta zhvillojnë e përparojnë vendin tonë. Do të rriten e arsimohen, dhe në mënyrë kritike do të vlerësojnë e do të rregullojnë vendin tonë drejt integrimit evropian e euro-atlantik, të cilën e synojmë ne, e që me siguri këtë nuk bëjmë thjesht për brezin tonë, por për ata që do të vijnë. Meqenëse ne jemi një brez që kemi dalur nga okupimi e nga lufta, dhe pas pavarësimit synojmë Bashkimin Evropian dhe NATO-n. Por do të jenë brezat e tjerë të cilët rriten, e më pas edhe aso që nuk kanë lindur ende, e të cilët do të jetojnë në një Kosovë të përparuar e të integruar”, tha Kurti, përcjell ZKM.

Kurti deklaroi se Qeveria të cilën e udhëheq është duke “i përmbushur zotimet”.

“Andaj qeveria jonë në programin e saj ka vend të veçantë për fëmijët. Në përmbushje të zotimeve tona, ne po vazhdojmë të investojmë mundin, kohën, energjinë dhe burimet, në të gjitha aspektet ku fëmijët kanë nevojë, për t’u rritur të shëndetshëm e të lumtur. Për zhvillimin në fëmijëri të hershme, për mbrojtje, mos diskriminim, me pjesëmarrje e fuqizim”, u shpreh ai.

Ai përmendi edhe shtesat që po ndahen nga Qeveria për fëmijët dhe ndërtimin e çerdheve.

“Për barazi në fillim të shtegut, po i ndajmë shtesat për fëmijë që mos të ketë pabarazi në moshat e hershme. Brenda vitit të dytë të qeverisjes, me buxhetin për vitin 2023, do të përfshijmë në skemë të gjithë fëmijët nën moshën 16 vjeçare. Për çdo muaj e kemi rritur edhe nga një vit fëmijët që i kemi përfshirë në këtë skemë, e tash në buxhetin për vitin 2023, i cili ka kaluar në javën që po lëmë pas në lexim të parë Kuvendin e Republikës, po i përfshijmë të gjithë fëmijët nën moshën 16 vjeçare. Për këtë kemi ndarë buxhet në vlerë prej 60 milionë euro”.

“Në përputhje me premtimin tonë për zhvillimin e hershëm të fëmijëve, kemi vazhduar linjën buxhetore për ndërtimin e çerdheve, ku për këtë vit i kemi buxhetuar 11 çerdhe për fëmijë. Kemi shtuar 243 pozita të reja për staf për çerdhet që parashihen të funksionalizohen. Edhe Qeveria e ka miratuar Ligjin për arsimin e fëmijërinë e hershme.”

Kurti tha se nuk do të marrë pjesë në konferencë, pasi “ka një fluturim”.

“Andaj, gëzuar Dita Botërore e Fëmijëve! Qofshi të gëzuar gjithmonë! E në fund më vjen shumë keq që më duhet të ju kërkojë falje, se e kam për pak më shumë se një orë fluturimin e më duhet të shkoj. E me keqardhje nuk mund të marr pjesë në atë konferencën për media që më shumë qef do të vija, e në vend timin janë ministri dhe dy zëvendësministret. Andaj, urime edhe njëherë e faleminderit shumë, e ju kërkojë falje që po më duhet të largohem”.

Të ngjashme