Kurti në Ditën Ndërkombëtare të vajzave dhe grave në shkencë: Duhet të mbyllim hendekun ekzistues gjinor

Prishtinë | 11 Shk 2022 | 15:04 | Nga Ekonomia Online

Për Qeverinë e Republikës së Kosovës, zhvillimi i gjithmbarshëm nuk mund të paramendohet pa arsim cilësor, pa zhvillim të kapitalit njerëzor, e qasje të barabartë në mundësitë për zhvillim, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në Ditën ndërkombëtare të vajzave dhe grave në shkencë.

Në shkollën fillore të mesme të ulët “Naim Frashëri” ku edhe vetë ishte nxënës për tetë vite, Kryeministri vizitoi Klubin e Kodimit të kësaj shkolle. Nga vajzat pjesëmarrëse në klubet e kodimit u prezantuan projektet inovative të zhvilluara nga nxënëset e shtatë shkollave të mesme të ulëta nga e gjithë Kosova.

Kryeministri theksoi se përmes punës së përbashkët duhet të mbyllim hendekun ekzistues gjinor, të sigurohemi që pjesëmarrja e grave në fushën e shkencës, teknologjisë e inovacionit, të mos jetë përjashtim, por normë.

Së bashku, do të punojmë për të avancuar vajzat dhe gratë në shkencë, teknologji dhe inovacion, për arritjen e barazisë gjinore, tha kryeministri.

Ai bëri të ditur se nëpërmjet “Sfidës së Shkencës”, do të synohet qysh herët tek nxënësit e nivelit parauniversitar të frymëzohet me ndërveprim me konceptet e shkencës, duke nxitur garë ndërmjet ekipeve e shkollave.

Me Rrjetin e Grave në STEM, do të ofrojmë ombrellë afatgjatë të organizimit dhe forcimit të grave dhe vajzave në këto fusha shkencore, tha kryeministri.

E përtej shënimit simbolik të 11 shkurtit, nga viti i ardhshëm do të organizojmë konferencën vjetore për gratë në shkencë, për të promovuar arritjet shkencore të grave dhe vajzave, shtoi ai.

Kryeministri u bëri thirrje vajzave që do të nisin studimet sivjet, që t’i konsiderojnë studimet në fushat e Shkencës, Teknologjisë, Inxhinierisë dhe Matematikës – STEM.

Për të ndihmuar avancimin e vajzave në shkencë, këtë vit akademik, Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndarë 1365 bursa, në vlerë 1.000 euro për vajzat në STEM.

Në këtë vizitë, të pranishme ishin edhe Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Arbërie Nagavci, Zëvendësministrja e Arsimit, Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit znj.Edona Maloku Bërdyna, Zëvendës Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, z.Jacob Webber, kryetarja e Këshillit Kombëtar të Shkencës znj.Myzafere Limani, si dhe fitueset e çmimeve për Shkencëtar të vitit dhe Shkencëtar të ri të vitit, Dr.Ibadete Bytyçi dhe Dr.Fjolla Kaçaniku.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

E nderuara Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj Arbërie Nagavci,
E nderuar Zëvendësministre e Arsimit, Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit Znj. Edona Maloku Bërdyna,
I nderuar Zëvendës Ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, z. Jacob Webber,
E nderuar kryetare e Këshillit Kombëtar të Shkencës znj.Myzafere Limani,
E nderuar znj.Fjolla Kaçaniku, Shkencëtarja më e re e vitit,
E nderuar znj.Donjeta Sahatçiu, nënkryetare e Komunës së Prishtinës,
E nderuar znj.Besianë Musmurati, Drejtoreshë e Arsimit, Komuna Prishtinë,
Të nderuar përfaqësues të Institucioneve të arsimit,
Arsimtarë e pedagogë të shkollave fillore të mesme të ulëta,
Të dashur nxënës e nxënëse,

Jam shumë i lumtur të jem sot këtu, për të parë projektet inovative të zhvilluara nga vajzat, nga klubet e kodimeve të shtatë shkollave të mesme të ulëta nga Kosova.

Kënaqësia është edhe më e madhe, meqë rikthehem këtu, në shkollën “Naim Frashëri” ku edhe vetë isha nxënës për tetë vite.

Për Qeverinë e Republikës së Kosovës, zhvillimi i gjithmbarshëm nuk mund të paramendohet pa arsim cilësor, pa zhvillim të kapitalit njerëzor, e qasje të barabartë në mundësitë për zhvillim.

Stereotipet diskriminuese gjinore vazhdojnë t’ua mohojnë vajzave dhe grave qasjen e barabartë për të bërë karrierë në shkencë. Kështu vajzat dhe gratë privohen nga realizimi i potencialit te tyre, ndërsa shoqëria privohet nga zhvillimi që do të mund të sillte potenciali i gjysmës së popullsisë.

Në programin tonë qeverisës, jemi zotuar që të avancojmë barazinë në çdo aspekt.

Për të ndihmuar avancimin e vajzave në shkencë, këtë vit akademik, ne kemi ndarë buxhet për 1000 bursa për vajzat në fushat e Shkencës, Teknologjisë, Inxhinierisë dhe Matematikës, apo siç njihet si STEM. E këtë e kemi tejkaluar, dhe këtë vit kemi 1.365 vajza që i kemi mbështetur me bursa nga 1.000 euro për studime në fushat STEM.

Prandaj, nga këtu, në këtë Ditë Ndërkombëtare të vajzave dhe grave në shkencë, u bëj thirrje vajzave që do të nisin studimet sivjet, t’i konsiderojnë studimet në fushat e Shkencës, Teknologjisë, Inxhinierisë dhe Matematikës.

Nëpërmjet Sfidës së Shkencës, do të synojmë të frymëzojmë qysh herët tek nxënësit e nivelit parauniversitar ndërveprim me konceptet e shkencës, duke nxitur garë ndërmjet ekipeve e shkollave.

Me Rrjetin e Grave në STEM, do të ofrojmë ombrellë afatgjatë të organizimit dhe forcimit të grave dhe vajzave në këto fusha shkencore.

E përtej shënimit simbolik të 11 shkurtit, nga viti i ardhshëm do të organizojmë konferencën vjetore për gratë në shkencë, për të promovuar arritjet shkencore të grave dhe vajzave.

Falënderoj Qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar për mbështetjen e këtij programi të British Council “Shkollat e Shekullit 21”, dhe angazhimin e të gjithëve për të zhvilluar projekte e për të punuar bashkë.

Vetëm nëpërmjet angazhimit të përbashkët e të përditshëm mund t’u japim fund paragjykimeve ekzistuese, për gjini në profesione.

Së bashku, do të punojmë për të avancuar vajzat dhe gratë në shkencë, teknologji dhe inovacion, për arritjen e barazisë gjinore. Përmes punës sonë të përbashkët duhet të mbyllim hendekun ekzistues gjinor, të sigurohemi që pjesëmarrja e grave në fushën e shkencës, teknologjisë e inovacionit, të mos jetë përjashtim, por normë.

Të ngjashme