Kurti: Në veçanti ua uroj Fitër Bajramin mërgimtarëve tanë që nuk patën mundësi të vijnë në Kosovë

Prishtinë | 24 Maj 2020 | 10:19 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti u ka uruar besimtarëve myslimanë festën e Fitër Bajramit.

Këtë herë ai në veçanti u ka uruar festën bashkatdhetarëve tanë në mërgim që nuk patën mundësi të vijnë për festim në vendlindjen e tyre.

Fjala e plotë e Kurtit:

“Për një muaj në iftar e në syfyr keni shtruar sofrën duke ndarë kafshatën me lutje e shpresë për një agjërim të pranueshëm.

Festa e Bajramit është festë gëzimi, në të cilën mblidhen familjarët e miqtë për urime.

Kësaj radhe, mëngjesi i festës është më ndryshe.

E pazakonta e pandemisë, u kthye në përkushtim të sakrificave të vogla por që kontributi i tyre është i madh.

Edhe pse jeni privuar nga lutjet tuaja në xhami, mirëkuptimi që e keni përcjellë është angazhim i solidaritetit për ruajtjen e shëndetit të secilit prej nesh.

Në vecanti sivjet ua uroj Fitër Bajramin bashkatdhetarëve tanë në mërgim që nuk patën mundësi të vijnë për festim në vendlindjen e tyre.

Ata vazhdojnë të na ndihmojnë aq shumë.

Të gjithë ne, të gjithë atyre ju kemi borxh përjetë.

Nëse dikur festonim bashkë, sot po festojmë vetëm nëpër shtëpitë tona me kujdes të shtuar e disiplinë.

Pacit mbarësi e mirësi, harmoni e begati në familjet tuaja.

Urime Festën”.

Me fat Fitër Bajrami!

Me fat Fitër Bajrami!

Gepostet von Albin Kurti am Sonntag, 24. Mai 2020

Të ngjashme