Kurti nga Rrjeti i Grave të Kosovës: Disa gjyqtarë nuk kanë mundur ta bëjnë dallimin mes ngacmimit seksual dhe sulmit seksual

Prishtinë | 23 Gus 2021 | 19:54 | Nga Ekonomia Online

Erza Kurti nga Rrjeti i Grave të Kosovës thotë se është mjaft shqetësuese se si ka përfunduar rasti në Ferizaj duke pasur parasysh që të dy të dyshuarit kanë pasur precedent penel.

“Kjo për neve është papërgjegjshmëri institucionale”, deklaroi në RTV Dukagjini.

Kurti thotë se deri më tani rastet e vrasjes së grave në Kosovë nuk janë trajtuar si duhet në mënyrë që të parandalohen raste tjera.

Përfaqësuesja e Rrjetit të Grave të Kosovës thotë se ka gjyqtarë në Kosovë që nuk kanë mundur ta bëjnë dallimin mes ngacmimit seksual dhe sulmit seksual.

“3 prej 17 gjyqtarëve që ne i kemi intervistuar e kanë bërë dallimin mes sulmit seksual dhe ngacmimit seksual. Disa prej tyre nuk e kanë idenë çfarë është edhe përndjekja, pasi që edhe përndjekja është vepër penale”, tha ajo.

Kurti thotë se ligjet në Kosovë nuk janë të këqija edhe në raport me dënimet e dhunuesve të grave por sipas saj implementimi i ligjeve lë për të dëshiruar.

Ajo thotë se deri më sot asnjë dënim për ngacmim seksual nuk është bërë në Kosovë.

Ndryshe, nesër në Ferizaj është paralajmëruar një protestë pas vrasjes së 18 vjeçares.

Të ngjashme