Kurti pas arritjes së vaksinave: Kontingjent i vogël, por që ngjan shpresë të madhe

Prishtinë | 28 Mar 2021 | 20:26 | Nga Erdonita Hebibi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Pas arritjes së 24 mijë dozave të vaksinave, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se është një kontigjent i vogël por që ngjan shpresë të madhe, raporton Ekonomia Online.

Kurti tha se nuk kemi kohë për të humbur, prandaj kërkoi që vaksinimi të fillojë menjëherë.

“Jemi mbledhur për të mirëpritur arritjen e kontingjentit të parë, është një kontingjent i vogël por ngjall shpresë të madhe, për fillimin e shpëtimit të njerëzve. Secila jetë është e çmuar, prandaj më shumë se kurrë bota ka nevojë për solidaritet, deri tash e keni mësuar që virusi nuk njeh kufij. Prandaj më lejoni të falënderoj aleancën Covax. Vendi ynë është i vogël dhe i i varfër dhe ka nevojë për mbështetje të madhe e sidomos nga SHBA-ja dhe BE-ja, gjatë viti që lamë pas është humbur kohë e çmuar në qeverisjen e mirë , kohë që na ka kushtuar shumë e me shumë jetë njerëzisht, atë kohë nuk mund ta kthejmë mbrapa, por tash është koha të veprojmë. Vaksinimi të fillojë menjëherë”, u shpreh ai.

Tutje, Kurti apeloi për kujdes dhe përgjegjshmëri nga qytetarët.

Ky kontingjent është mundësuar nga organizata UNICEF, nëpërmjet programit COVAX.

Në vijim fjalimi i plotë i Kurtit:

Mirëmbrëma të dashur qytetarë,
I nderuar Ushtrues i Detyrës së Shefit të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Z. Riccardo Serri, Shkëlqesi tuaja, ambasadorë të shteteve të Quintit,
E nderuara Përfaqësuese e Kombeve të Bashkuara e Ekipit për Kosovë, Znj. Ulrika Richardson,
I nderuar Shefi i zyrës së UNICEF-it për Kosovë, Z. Murat Shahin,
I nderuar shef i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, Z. Sergy Koriak,
I nderuar Ministër i Shëndetësisë, Z. Arben Vitia,

Të nderuar të pranishëm,

Jemi mbledhur këtu tek Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”, për të mirëpritur arritjen e kontingjentit të parë të vaksinave në Kosovë.Është ky një kontingjent i vogël por që ngjallë shpresë të madhe në vendin tonë për fillimin e shpëtimit të jetëve të njerëzve, sidomos të personelit tonë shëndetësor dhe të grupeve të popullsisë në rrezik.Secila jetë në secilin vend të botës është e çmuar dhe barasvlershme, prandaj, më shumë se kurrë, bota ka nevojë për solidaritet në përballje me këtë armik të përbashkët për gjithë njerëzimin. Deri tash besoj e kemi mësuar se virusi nuk njeh kufij, racë apo etni dhe se askush në asnjë vend nuk është i sigurtë derisa të gjithë të jemi të sigurtë.

Prandaj më lejoni të falënderoj aleancën GAVI COVAX dhe të gjithë ata që po dhurojnë në këtë aleancë për të siguruar një proces sa më të drejtë e të barabartë të vaksinimit kundër Covid-19 në mbarë botën.Vendi ynë është i vogël dhe i varfër, andaj edhe ka nevojë për mbështetje të madhe dhe solidaritet nga të gjithë, e sidomos nga miqtë tanë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, të cilët edhe janë donatorët kryesor të aleancës GAVI COVAX.

Gjatë vitit që lamë pas është humbur kohë e çmuar në qeverisjen e mirë, jo vetëm në menaxhimin e pandemisë por edhe në sigurimin e vaksinave dhe përgatitjen e nevojshme dhe profesionale për administrimin e vaksinave, kohë që na ka kushtuar shumë e me shumë jetë njerëzish.Atë kohë nuk e kthejmë dot mbrapa, siç nuk mund ta kthejmë mbrapa dhjetëra e qindra jetë njerëzish të dashur që kemi humbur.Por, tash është koha të veprojmë. Vaksinimi duhet të filloj menjëherë dhe pa asnjë vonesë. Kemi 87,981 të infektuar e 1,840 të vdekur.

Në dy javët e fundit kemi mesatarisht 10 vdekje në ditë dhe një trend në rritje. Kemi humbur 16 mjekë e 8 infermierë e për një vend me 1.8 milion banorë shifrat e tilla i ngjajnë një kohe lufte, prandaj edhe masat tona duhet të jenë të shpejta e të drejta që duhet ta ulin numrin e infektimeve të reja dhe të shmangin vdekjet si pasojë e Covid-19.

Sot është tejkaluar numri prej 500 vdekjeve në vitin 2021 në Republikën e Kosovës. Në janar, shkurt dhe deri sot më 28 mars i kemi saktësisht 504 të vdekur në Kosovë nga virusi Covid-19.

Të dashur qytetarë, Qeveria jonë, qeveria juaj, qeveria që ju keni zgjedhur, është në krye të detyrës, po punon ditë e natë dhe po bën të pamundurën që të sigurojmë sa më shumë vaksina. S’ka dyshim se vaksinat do ta komplementojnë por ato nuk e zëvendësojnë dot shëndetin publik, dhe mjetet që tashmë e dimë që funksionojnë, sikurse që janë maskat, distanca, higjiena dhe shmangia e vendeve të mbyllura.

Andaj le të tregohemi të kujdesshëm dhe të përgjegjshëm. Ta ruajmë vetveten dhe ta mbrojmë njëri-tjetrin dhe të qëndrojmë të bashkuar si kurrë më parë në tejkalimin e pandemisë.Unë falënderoj mjekët, infermierët dhe të gjithë punonjësit shëndetësor të cilët janë në vijën e parë të frontit, për punën e palodhshme dhe sakrificën që po bëjnë në shpëtimin e jetës.

U jam mirënjohës të gjithë atyre që kanë kontribuar e po kontribuojnë për tejkalimin e kësaj krize të rëndë shëndetësore.

Ju falemnderit.

May be an image of standing and outdoors
May be an image of standing

Të ngjashme