Kurti për masakrën e Rezallës: Është dëshmi e gjenocidit të Serbisë në Kosovë

Skenderaj | 05 Pri 2022 | 09:06 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë homazhe, me rastin e përvjetorit të 23-të të masakrës së Rezallës. Nga aty, Kurti tha se këta u pushkatuan mizorisht vetëm për shkak se ishin shqiptarë dhe dëshironin të jetonin të lirë në trojet e tyre, raporton Ekonomia Online.

Kryeministri tha se masakra e Rezallës është dëshmi e gjenocidit të Serbisë në Kosovë dhe si e tillë, ai ka thënë se ajo njihet botërisht.

Kurti ka kërkuar nga drejtësia vendore edhe ajo ndërkombëtare që me ngulm të veprojnë në mënyrë që përgjegjësit të gjykohen e dënohen për këto krime.

“Vendosëm lule të freskëta këtu te lapidari dhe varrezat e këtyre martirëve të kombit, të cilët u pushkatuan mizorisht vetëm për shkak se ishin shqiptarë dhe dëshironin të jetojnë të lirë në trojet e tyre stërgjyshore. 98 burra dhe djem u grumbulluan dhe u ekzekutuan nga forcat serbe dhe vetëm 3 që kanë shpëtuar, kjo ju ka ndodhur rastësisht. Qëllimi ka qenë që të mos e lënë asnjë të gjallë, andaj kjo masakër është dëshmi e gjenocidit të Serbisë në Kosovë”, tha kryeministri Kurti.

Duke folur për rivarrimin në muajin tetor 2021, të eshtrave të 9 viktimave të Rezallës, kryeministri tha se me ekzekutim mizor e barbar, forcat serbe ua vodhën jetën e pastaj ua vodhën edhe kufomat.

“Më 30 shtator të vitit 2021, u kthyen në Kosovë eshtrat e zhvarrosura në Kizhevak, Serbi, që sipas raporteve të identifikimit, iu përkisnin shtatë identifikimeve të reja nga masakra e Rezallës, si dhe dy ribashkimeve me eshtrat e zhvarrosura vite më parë nga varreza masive në Rudnicë të Rashkës, në Serbi. Nuk ka dyshim që gjenocidi i Serbisë njihet edhe botërisht, përveçse nga ne shqiptarët që e përjetuam, andaj edhe drejtësia vendore dhe ajo ndërkombëtare duhet pa vonesë dhe me ngulm të veprojnë në mënyrë që përgjegjësit edhe urdhërdhënësit edhe ekzekutorët, të gjykohen e të dënohen”, theksoi Kurti.

Kurti ishte i shoqëruar nga ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, dhe komandanti i FSK-së, Bekim Jashari.

Të ngjashme