Kurti për “Syrin e Popullit”: Thaçi është në panik, nuk merrem me shpifjet e tij

Prishtinë | 29 Dhj 2018 | 12:04 | Nga Ekonomia Online

President në panik e ka quajtur lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, presidentin Hashim Thaçi i cili një ditë më parë i akuzoi atë dhe Glauk Konjufcën se janë themelues të organizatës “Syri i Popullit”.

Kurti përmes një reagimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook ka thënë se janë shpifje deklarimet e Thaçit.

“Më 31 mars 2018, mua dhe Glaukun na akuzonte për lidhje me Rusinë dhe Iranin. Më 9 korrik, vetë presidenti Thaçi shkoi e takoi Medvedevin, kurse më 12 nëntor 2018 u takua me Putinin. Tash shpif për lidhje tjera të paqena. Qëndrimet dhe veprimet tona janë publike, të drejta dhe të qarta”, ka thënë Kurti.

Ai ka thënë tutje se “me shpifjet e këtij presidenti që po ikën më shpejt se ç’është menduar nuk merret”.

“Viti 2019 do të jetë viti i ndryshimeve për Kosovën. Sepse nuk shkëmbehet Kosova me Serbinë. Sepse nuk zëvendësohet Gjermania me Rusinë” ka shkruar Kurti në Facebook.

Kurti më tutje i ka ftuar qytetarët dhe aktivistët që ta ruajnë qetësinë për shkak se siç ka thënë ai presidentit është në panik pasi që ai po dështon dhe po shkon.

Një ditë më parë presidenti Hashim Thaçi gjatë marrjes në pyetje nga prokuroria kur ishte pyetur se kush janë themeluesit e organizatës “Syri i Popullit” përmendi emrat e Albin Kurtit, Sadri Ramabajës dhe Glauk Konjufcës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme