Kurti përkujton viktimat e masakrës së Izbicës dhe familjes Bogujevci: Plagët janë hapura

Prishtinë | 28 Mar 2022 | 18:29 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri Albin Kurti ka përkujtuar të vrarët nga Podujeva e Izbica e Skenderajt, të cilët u ekzekutuan e masakruan nga forcat ushtarake e policore serbe 23 vjet më parë.

Përmes një reagimi në Facebook, Kurti shkruan se përkujtimi i mizorive të regjimit serb, tregon se sa të hapura janë plagët dhe sa e madhe është dhimbja.

”7 fëmijë nga mosha 2 deri në 15 vjeç dhe 7 gra të familjes Bogujevci, Duriqi e Llugaliu, u pushkatuan 23 vjet më parë në Podujevë nga njësiti rezervë policor serb “Shkorpionët”.

Në këtë masakër humbi 16 anëtarë të familjes e u mbijetoi 16 plumbave Saranda Bogujevci. Ajo sot është Nënkryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Rreth 80 kilometra më larg, forcat ushtarake, policore e paramilitare serbe rrethuan mijëra civilë të fshatit Izbicë dhe vendbanimeve përreth. Nga turma i morën 147 burra dhe djem, të cilët i ekzekutuan në vend.

Të dy masakrat u kryen më 28 mars 1999, katër ditë pas fillimit të intervenimit të NATO-s dhe në 10 vjetorin e Kushtetutës së Serbisë, që vulosi suprimimin e autonomisë së Kosovës.

Në çdo pranverë përkujtimi i mizorive të regjimit serb na e tregon se sa të hapura janë plagët e sa e madhe mbetet dhimbja.

I përjetshëm qoftë kujtimi për ta”.

Të ngjashme