Kurti pohon se me kryetarin e Aleancës për Shqiptarët Zijadin Sela ka biseduar për menaxhimin e pandemisë

Prishtinë | 02 Shk 2022 | 19:31 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim kryetarin e Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela me bashkëpunëtorët, Ilire Dauti, kryetare e Grupit Parlamentar të Aleancës për Shqiptarët në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Arben Taravari, sekretar i përgjithshëm i partisë dhe kryetar i Gostivarit.

Në takim u bisedua për menaxhimin e pandemisë në të dy vendet, trendin e vaksinimit dhe mundësinë e lehtësimit të masave.

Kryeministri Kurti foli për stabilitetin institucional, progresin dhe reformat e nisura të qeverisë në fusha të ndryshme.

Për procesin e dialogut Kosovë-Serbi, kryeministri ritheksoi se duhet të ketë në qendër njohjen e ndërsjellë mes dy shteteve, si rruga e vetme për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit afatgjatë në rajon.

Z. Sela theksoi nevojën për komunikim ndërshqiptar dhe bashkërendim të veprimeve politike përballë zhvillimeve rajonale.

Lidhur me nismat si Ballkani i Hapur, z.Sela tha se asnjë iniciativë e tillë nuk ka kuptim për sa kohë që nuk vendoset edhe mozaiku i fundit i rajonit të Ballkanit, e që është njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia. Ndryshe kjo do të kishte efekt shumë të dëmshëm për shtetësinë e Kosovës dhe në përgjithësi për shqiptarët, shtoi ai.

Të ngjashme