Kurti priti në takim drejtoren rajonale të UNDCO, e falënderon për bashkëpunimin për vaksina

Prishtinë | 13 Sht 2021 | 17:36 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim Drejtoren rajonale për Evropë dhe Azi Qendrore të Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Koordinim të Zhvillimit (UNDCO), znj. Gwi Yeop Son, së bashku me Koordinatoren për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, znj. Ulrika Richardson, zyrtaren e lartë për koordinim rajonal, znj. Mona Folkesson dhe Drejtorin e Zyrës së koordinatores për zhvillim (DCO), z. Lorik Pustina.

Kryeministri Kurti e vlerësoi të jashtëzakonshëm bashkëpunimin me ekipin e agjencive të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNKT) që nga shpërthimi i pandemisë COVID 19. Ai e falënderoi UNKT-në për përkrahjen e Qeverisë me pajisje dhe materiale të tjera të nevojshme për menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së pandemisë.

Po ashtu, kryeministri shprehu mirënjohje për angazhimin dhe përkrahjen që UNDC i dha Ministrisë së Shëndetësisë për sigurimin e vaksinave kundër COVID 19.

Kryeministri Kurti kërkoi që shteti ynë të përfshihet në iniciativat rajonale, në raportime dhe analiza, në mënyrë që të sigurojë “meta data”.

Znj. Gwi Yeop Son tha se është e gëzuar që Komiteti Drejtues, si një instrument për implementimin e Objektivave për Zhvillim të Qëndrueshëm (SDG) kryesohet nga kryeministri Kurti. Ajo tha se ky mekanizëm do të mbështesë të gjitha shtyllat e paqes, sigurisë dhe të drejtave të njeriut, por edhe kohezionin social, ndërtimin e paqes dhe ndryshimet klimatike.

U bisedua edhe për punën e qeverisë, rëndësinë e stabilitetit institucional, drejtësinë, demokracinë dhe zhvillimin ekonomik.

Të ngjashme