Kurti priti në takim ministrin për Evropë Jugore, Lindje të Mesme dhe Afrikë të Republikës së Guajanës

Prishtinë | 09 Qer 2021 | 14:32 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendësministrin e Punëve të Jashtme e Diasporë, Kreshnik Ahmeti, priti në takim ministrin për Evropë Jugore, Lindje të Mesme dhe Afrikë të Republikës së Guajanës, George Hallaq.

Ministri Hallaq ia dorëzoi kryeministrit Kurti letrën e Presidentit të Republikës Bashkëpunuese të Guajanës, dr. Mohammed Irfaan Ali, me urimin për fitoren në zgjedhjet e 14 shkurtit. Në letër presidenti guajanas ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve dhe e ka ftuar kryeministrin Kurti për vizitë në kryeqytetin e Guajanës, Georgetown.

Gjithashtu, ministri Hallaq shprehu në takim vullnetin dhe gatishmërinë e Republikës së Guajanës për bashkëpunim me Republikën e Kosovës.

Kryeministri Kurti e falënderoi ministrin Hallaq për vizitën dhe për letrën e presidentit dr. Mohammed Irfaan Ali. Ai tha se populli i Guajanës dhe populli i Kosovës kanë kaluar histori të ngjashme të luftës çlirimtare e të shtetformimit demokratik, dhe se të dy vendet janë të pozicionuara në anën e njëjtë të politikës globale.

Shteti i Guajanës ndodhet në Amerikën Jugore dhe e ka njohur pavarësinë e Kosovës në vitin 2013.

Të ngjashme