Kurti: Qeveria ka në plan parandalimin dhe adresimin e dhunës në familje dhe në baza gjinore

Prishtinë | 01 Shk 2022 | 17:41 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në konferencës e organizuar nga Misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri e Bashkëpunim Evropian (OSBE) dhe Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë, me temën “Përmirësimi i qasjes së të mbijetuarave të dhunës me bazë gjinore në nisma për banim sociale dhe fuqizim ekonomik”, që u mbajt sot në Prishtinë.

Kryeministri Kurti tha se në programin tonë qeverisës, dy nga qëllimet që i kemi vënë vetës, për çështjet që po i trajtojmë sot, janë: parandalimi dhe adresimi i dhunës në familje dhe në baza gjinore, si dhe banimi social e i përballueshëm.

Javën e kaluar, në mbledhjen e Qeverisë, u miratua Strategjia Kombëtare dhe Plani i Veprimit. Kryeministri theksoi se ky përbën një hap thelbësor përpara, drejt parandalimit dhe adresimit të drejtë të fenomenit të dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës në baza gjinore.

Kjo strategji është një nga nismat për realizimin e vizionit të Qeverisë sonë, që asnjë grua të mos jetojë me frikën e dhunës, e që çdo vajzë të rritet duke e ditur se është e sigurt, tha ai.

Po ashtu javën e kaluar është prezantuar edhe studimi i fizibilitetit për Programin e Banimit Social në Kosovë, një program banimi që iu përgjigjet nevojave të qytetarëve tanë.

Për viktimat e dhunës në familje, do të zhvillojmë planin e banimit social trevjeçar për vitet 2022-2024, me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal si institucioni udhëheqës dhe komunat si mbështetëse, bëri të ditur kryeministri.

Për të mbështetur fuqizimin ekonomik të grave dhe rritjen e punësimit, me Pakon e Ringjalljes Ekonomike kemi zbatuar masa aktive për punësimin e grave, nga të cilat kanë përfituar mbi 3000 gra dhe vajza. Ndërsa kemi zbatuar edhe masa të tjera mbështetëse për gratë, si ajo për lehonat, nga të cilat do të vazhdojnë të përfitojnë mbi 6000 nëna të reja.

Përmes bashkëpunimit me sektorin publik dhe privat do të ofrojmë mundësi për punësim të të mbijetuarave të dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave, theksoi kryeministri Kurti.

Promovimi, respektimi dhe garantimi i të drejtave të grave dhe vajzave, dhe barazia gjinore, janë në qendër të punës sonë, për çdo ditë e në çdo vendim, shtoi ai.

Fjala e plotë e kryeministrit:

Shkëlqesia e juaj, Presidente e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani,

I nderuari Ambasador Michael Davenport, Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë,

I nderuari Ambasador Tomas Szunyog, Shef i Zyrës së Bashkimit Evropian dhe Përfaqësues i Posaçëm i BE-së në Kosovë,

E nderuara zëvendëskryeministre e Republikës së Kosovës, znj. Emilia Rexhepi,

E nderuara Ministre e Drejtësisë, znj.Albulena Haxhiu,

E nderuara Zëvendësministre e Drejtësisë dhe Koordinatore Nacionale kundër Dhunës në Familje, znj. Nita Shala,

E nderuara Kryeshefe e Agjencisë për Barazi Gjinore, znj. Edi Gusia,

I nderuar kryetar i Komunës së Gjakovës, z. Ardian Gjini,

I nderuar kryetar i Komunës së Prishtinës, z. Përparim Rama

Të nderuara aktiviste, mbrojtëse të të drejtave të grave,

Të nderuar përfaqësues të organizatave partnere,

Të nderuara zonja dhe zotërinj,

Të nderuar të pranishëm dhe të gjithë ju që jeni bashkë me ne në mënyrë virtuele,

“Një shoqëri ku të gjithë janë të sigurtë dhe të barabartë, jetojnë pa frikën apo kërcënimin e dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave, ku qëllim është të parandalohet dhe mos tolerohet dhuna, të mbrohet, riintegrohet dhe fuqizohet viktima, si dhe të vendoset kryerësi para përgjegjësisë”.

Ky është vizioni në themel të Strategjisë Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave, që do të drejtojë punën tonë të përbashkët nga viti 2022 deri në vitin 2026.

Javën e kaluar, në mbledhjen e Qeverisë, e miratuam Strategjinë Kombëtare dhe Planin e Veprimit. Ky përbën një hap thelbësor përpara, drejt parandalimit dhe adresimit të drejtë të fenomenit të dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës në baza gjinore. Kjo strategji është një nga nismat për realizimin e vizionit të Qeverisë sonë, që asnjë grua të mos jetojë me frikën e dhunës, e që çdo vajzë të rritet duke e ditur se është e sigurt.

Fuqizimi ekonomik i grave e pavarësimi financiar, mbeten çështje të papërfunduara te ne dhe fatkeqësisht çdo kund. Asnjë vend në botë ende nuk ka arritur barazinë gjinore, dhe gratë vazhdojnë të kenë më shumë gjasa se sa burrat që të jetojnë në varfëri, e të jenë të varura financiarisht.

Prandaj, prania e pabarazive të thella dhe përjashtimi socio- ekonomik strukturor, po na dërgon deri te mohimi i së drejtës për siguri, mirëqenie, e jo rrallë herë edhe te mohimi i të drejtës për jetë, të grave e vajzave tona.

Me Programin e Kosovës për Barazi Gjinore 2020-2024, të miratuar gjatë mandatit të kaluar, objektiv të parë strategjik kemi krijimin e mundësive të barabarta, për gratë dhe burrat. Që gratë të kontribuojnë, por edhe të përfitojnë nga zhvillimi ekonomik, që të rrisim përfshirjen, por edhe pjesëmarrjen aktive të tyre.

Për qeverinë tonë, të drejtat e njeriut, janë më tepër se sa liri të garantuara.

E të drejtat në vetvete nuk janë të mjaftueshme, nëse ekonomia nuk ofron mundësi për të gjithë, sikurse e drejta për banim e punësim, për të cilat po flasim sot.

Në programin tonë qeverisës, dy nga qëllimet që i kemi vënë vetës, për çështjet që po i trajtojmë sot, janë: parandalimi dhe adresimi i dhunës në familje dhe në baza gjinore, si dhe banimi social e i përballueshëm.

Javën e kaluar na u prezantua studimi i fizibilitetit për Programin e Banimit Social në Kosovë, një program banimi që iu përgjigjet nevojave të qytetarëve tanë.

Për të ngritur mirëqenien dhe për barazi, banimi social është infrastrukturë kritike, funksioni i së cilës shkon përtej strehimit dhe sigurimit të banimit të përballueshëm.

Në këtë kontekst do të sigurojmë qasje progresiste. Duke mos lënë prapa askënd, duke mos lënë askënd jashtë, do të sigurojmë banim të dinjitetshëm për të gjithë.

Për viktimat e dhunës në familje, do të zhvillojmë planin e banimit social trevjeçar për vitet 2022-2024, me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal si institucioni udhëheqës dhe komunat si mbështetëse.

Me Agjencinë për Barazi Gjinore, po punojmë në zgjerimin dhe zhvillimin e Masave Aktive të Punësimit, për t’iu përshtatur nevojave dhe kërkesave të grave. Po punojmë për realizimin e së drejtës në pronë dhe trashëgimi; uljen e punësimit joformal, dhe përmirësimin e kushteve në vendin e punës për gratë dhe vajzat.

Për të mbështetur fuqizimin ekonomik të grave dhe rritjen e punësimit, me Pakon e Ringjalljes Ekonomike kemi zbatuar masa aktive për punësimin e grave, nga të cilat kanë përfituar mbi 3000 gra dhe vajza. Ndërsa kemi zbatuar edhe masa të tjera mbështetëse për gratë, si ajo për lehonat, nga të cilat do të vazhdojnë të përfitojnë mbi 6000 nëna të reja.

Përmes bashkëpunimit me sektorin publik dhe privat do të ofrojmë mundësi për punësim të të mbijetuarave të dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave.

Do të krijojmë fondin për grante për punësim të viktimave të dhunës në familje, si dhe fondin për grante për vetëpunësim të viktimave, për tre vitet e ardhshme.

Është detyrë e jona që në një të ardhme të afërt të krijojmë mundësi për çdo grua dhe vajzë që ka nevojë, që të ketë qasje në shtëpi të sigurt e me cilësi të mirë, me kushte për jetë të dinjitetshme, zhvillim personal e profesional.

Edukimi dhe formimi cilësor, janë parakusht për ndryshimin e normave diskriminuese dhe zvogëlimin e hendeqeve të pabarazive shoqërore.

Prandaj, kemi mundësuar arsimin e lartë publik pa pagesë. Në këtë vit akademik, kemi 1000 vajza që i kemi mbështetur me bursa, për studime në shkencat teknike e natyrore.

Pjesëmarrja e barabartë në arsim, nxitë vajzat dhe djemtë të angazhohen në ndërtimin e së ardhmes, dhe formëson gjenerata që respektojnë njëri-tjetrin, pa dallim.

Promovimi, respektimi dhe garantimi i të drejtave të grave dhe vajzave, dhe barazia gjinore, janë në qendër të punës sonë, për çdo ditë e në çdo vendim.

Ju faleminderit për ftesën dhe diskutimin e sotëm për këtë temë tejet të ndjeshme e tejet të rëndësishme. Ju faleminderit për gjithë punën që keni bërë dhe punët që do t’i bëjmë së bashku.

Të ngjashme