Kurti takohet me fituesin e Nobelit Denis Mukwege, biseduan për rëndësinë e trajtimit të krimeve të luftës

Prishtinë | 11 Nën 2019 | 19:20 | Nga Ekonomia Online

Sot, Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, së bashku me nënkryetarin z. Besnik Bislimi, deputeten e legjislaturës së re, znj. Saranda Bogujevci dhe Drejtuesen e Sekretariatit të Gruas Aktiviste në Lëvizje, znj. Nazlie Bala, takuan Doktorin, z. Denis Mukwege i cili në vitin 2018, për përpjekjet për t’i dhënë fund dhunës seksuale si armë lufte, Komiteti Norvegjez i Nobelit e shpalli fitues të çmimit Nobel për paqe. Në këtë takim, prezent ishin edhe Drejtoresha e QKRMT, znj. Feride Rushiti, znj. Vasfije Krasniqi Goodman, znj. Shyrete Tahiri Sulimani, Drejtoresha e Mukwege Foundation, znj. Esther Dingeman, znj. Dalal Ali Khairo dhe znj. Mer Ayang.

Me Dr. Mukwege bashkëbiseduam për rëndësinë e trajtimit të krimeve të luftës, për nevojën e gjykimit të kriminelëve që enden të lirë, dhe për drejtësinë që do të sillte shërim të viktimave, si dhe paqe e qetësi në zemrat e gjithë atyre që janë prekur nga lufta dhe gjenocidi serb në Kosovë. Kryetari Kurti i njoftoi ata me nismat e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në këtë drejtim, mbledhjen dhe dorëzimin e dëshmive për kriminelët që kanë kryer krime në Kosovë, si dhe për nismat që kanë shpjer në formimin e Prokurorisë Speciale për hetimin e krimeve të luftës, dhe ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale që mundëson gjykimin dhe dënimin e kriminelëve në mungesë. 20 vite jemi vonë, andaj duhet të bëjmë çmos si shtet që t’i përshpejtojmë hetimet për rastet e tilla, e të sjellim drejtësi për gjithë ata që ende i vuajnë pasojat e krimeve.

Me Z. Mukwege ishim të mendimit se rastet e përdhunimeve duhet të trajtohen me prioritet nga Prokuroria Speciale dhe nuk duhet të ketë asnjë vonesë në vënien e drejtësisë për ato raste.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme