Kurti tregon pse nuk po e arreston Policia (Video)

Prishtinë | 03 Maj 2017 | 19:37 | Nga

Persekutim ndaj Vetëvendosjes e quan Albin Kurti urdhër-arrestin e fundit ndaj tij.
Në një intervistë ekskluzive për KTV-në, ai thotë se nuk është duke u fshehur, e normalisht po zhvillon aktivitetin e tij, por thotë se Policia qëllimshëm nuk e ka arrestuar deri tash.

“Në kohën kur është rikthyer tema e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe kur paralajmërohet një seancë e mundshme për këtë çështje, në përpjekjen e Qeverisë për ta ringjallur një demarkacion të tillë të mbrapshtë, atëherë natyrisht që shikojnë se kë e kanë kundërshtar dhe kush mund t’ju pengojë”, ka thënë Kurti.

Policia e Kosovës nuk ka sqaruar nëse është duke e kërkuar ose pse nuk e ka zbatuar këtë urdhër-arrest në momentin që Kurti ka hyrë në Kosovë, në pikën kufitare në Han të Elezit.

Tani kur Gjykata ka urdhëruar arrestimin e Kurtit nëpërmjet një urdhër-arresti të lëshuar më 21 prill, Policia ka heshtur për mosveprimin e saj.

Sipas urdhër-arrestit që e ka siguruar KTV-ja, Stacioni i Policisë në Qendër është obliguar që njoftimin ta dërgojë në të gjitha pikat kufitare, si dhe në Aeroportin e Prishtinës.

Nëse arrestohet, Kurti do të dërgohet direkt në paraburgim për 1 muaj, sipas vendimit të gjyqtarit Beqir Kalludra, por Kurti thotë se kjo nuk është e rëndësishme për të.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme