Kurti viziton BSPK-në në 28-vjetorin e Grevës së Përgjithshme, i ofron bashkëpunim

Prishtinë | 03 Sht 2018 | 18:12 | Nga

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, së bashku me disa partiakë të tij, kanë vizituar Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) për nder të 28-vjetorit të Grevës së Përgjithshme.

Më 3 shtator 1990, BSPK-ja kishte organizuar Grevën e Përgjithshme në të gjithë territorin e Kosovës për të kundërshtuar masat e dhunshme të vendosura nga regjimi i Serbisë në krye me Sllobodan Millosheviqin. Kërkesat e së cilës ishin kthimi i punëtorëve shqiptarë të larguar në kundërshtim me konventat ndërkombëtare dhe të mos pengohej puna e Qeverisë dhe e Kuvendit të Kosovës.

“Punëtorët shqiptarë dhe BSPK-ja e kishin të qartë se çështjet socio-ekonomike janë të lidhura në mënyrë të pandashme me çështjen kombëtare shqiptare dhe se fitorja mund të arrihej vetëm duke luftuar për këto dy kauza njëkohësisht. Prandaj, punëtorët e Kosovës iu përgjigjën në mënyrë masive thirrjes për grevë. Me hap që ndërmorën ata i tronditën planet e Serbisë dhe i dhanë hov rezistencës për çlirimin e plotë të vendit”, shkruhet në komunikatën e VV-së.

Aty theksohet se Kurti ka shprehur gatishmërinë e Lëvizjes për të bashkëpunuar me BSPK-në për përmbushjen e të drejtave të punëtorëve dhe sigurinë e tyre në punë.

“Në këtë takim Albin Kurti theksoi se Kosova që nga lufta e këtej po kalon në situatën më të rëndë sociale dhe ekonomike dhe jo rastësisht kjo periudhë po shoqërohet edhe me propozime politike tejet të rrezikshme dhe të dëmshme për Kosovën në dialogun me Serbinë. Ai përsëriti gatishmërinë e përhershme të Lëvizjes Vetëvendosje si forcë social-demokrate, për të bashkëpunuar me BSPK-në në nivel lokal dhe ndërkombëtar, në përpjekjen për të drejtat e punëtorëve dhe për sigurinë në punë, duke shfrytëzuar edhe forume si Internacionalja Socialiste, ku është anëtarësuar së fundmi Lëvizja”.

Përfaqësuesit e BSPK-së ngritën gjithashtu shqetësimet për gjendjen ekonomike të vendit dhe për të drejtat e punëtorëve. Ata nënvizuan nevojën për rritjen e pagës minimale, gjë të cilën Lëvizja Vetëvendosje e ka kërkuar edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Përfaqësuesit e BSPK-së folën edhe për vendimet e disa prej federatave sindikale për të zhvilluar greva në javët në vijim, si një nga mjetet e fundit që kanë mbetur në duar të punëtorëve për të kërkuar të drejtat e tyre dhe për t’i mbrojtur ato.

Përfaqësuesit e LVV-së dhe të BSPK-së u pajtuan t’i vazhdojnë takimet dhe bashkëpunimin në të ardhmen.

Image may contain: 1 person, sittingImage may contain: 3 people, people sitting

Të ngjashme