Kurtishaj: Është obligim i Qeverisë ta zgjidhë problemin, protesta vazhdon edhe të hënën

Prishtinë | 18 Mar 2021 | 12:06 | Nga Erdonita Hebibi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Shoqata e Transportit Rrugor të Kosovës do të vazhdojë protestën edhe të hënën, raporton Ekonomia Online.

Ruzhdi Kurtishaj, kryetar i kësaj shoqate, tha se përveç defilimit të ditës së premte nëpër rrugët e Prishtinës, do të ketë ashpërsim të masave nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen.

“Ju kërkojmë falje qytetarëve, ndjejmë keqardhje, bashkëndjejë më ta për humbjet që po u shkaktohen atyre dhe pamundësinë për të udhëtuar me transportin publik të udhëtarëve. Falënderoj të gjithë operatorët e transportit rrugor të udhëtarëve qoftë në transportin urbano-periferik, ose ndër-urban që ju kanë bashkëngjitë kësaj greve në aspekt nacional”.

“Greva po vazhdon edhe sot kjo është protestë në formë greve për shkak të asaj që nuk e kemi dashur që të jemi pengesë për qytetarët në kohë pandemie përkundrazi nesër ashtu siç është planifikuar, do të kemi edhe marshin protestues me autobus nga të gjitha qendrat e Kosovës në drejtim të kryeqendrës, Qeverisë”, është shprehur ai.

“Sigurisht që ne presim që Qeveria të merr vendimin e duhur, të mbledh kabinetin qeveritar, të realizojë marrëveshjen dhe ne të ulemi me qeverinë të diskutojmë gjëra tjera me interes të dyanshëm. Por jo për këtë çështje, koha e premtimeve, diskutimeve, ndërtimit të dialogut publiko-privat ka kaluar sepse ato mundësi janë shtjerrë”.

“Ne vetëm presim realizimin e asaj çka është nënshkruar nga ana e Qeverisë në mënyrë që edhe ne të kthehemi normalitetit. Nuk jemi ne ata që dëshirojmë që të kemi protestë, grevë, të mbesin qytetarët në rrugë, andaj përveç që ne ndjejmë keqardhje obligimi dhe barra i takon Qeverisë që ta zgjidhë këtë problem. Presim reflektimin e Qeverisë, gjithmonë do të jemi konstruktiv”.

Kurse Driton Bytyqi përgjegjës për mbarëvajtje të grevës, ka thënë për EO se autobusët të premten do të hyjnë nga tri rrugë për në qendër të Prishtinës.

“Dje kemi marrë vendim që pasnesër të jetë dita e parë e protestës, ne qysh ditën e parë kemi bërë grevë edhe kërkesë për protestë. Kemi diskutuar me anëtarët e shoqatës. I gjithë vendimi është marrë në mënyrën më të mirë të mundshme edhe për mbarëvajtjen më të mirë të kësaj proteste. Autobusët tanë do të vijnë në Prishtinë prej të gjitha qyteteve. Do të kemi një hyrje prej pjesës së Veternikut, pjesën e rrugës te Rrethi i Flamurit, te rruga Agim Ramadani në Dardani”, është shprehur ai.

Bytyqi poashtu ka njoftuar se kanë lajmëruar edhe policinë për protestën  e cila do të zgjasë dy orë dhe pas saj do të vendoset për hapat e tjerë.

“Për dy orë jemi të plotë me defilim të autobusëve. Kemi bërë kërkesë direkt në polici për të marr pranimin dhe lejen e tyre dhe kemi diskutuar sot në takim me policinë. Na premtuan se do të jenë prezentë në pjesën ku do të lëvizim. Besoj që të gjithë transportuesit do të na përkrahin neve që asnjë transportues mos të del jashtë rrjedhës së planifikuar. Ditën e nesërme kemi me përfunduar protestën në ora 12. Të gjithë autobusët do të kthehen në stacion të autobusëve për mbarëvajtjen e ditëve tjera në vazhdim. Çka dhe si do të vendosim”.

Nga e mërkura kompanitë e transportit rrugor kanë hy në grevë duke pezulluar punën për linjat në gjithë Kosovën, pas mossubvencionimit nga ana e Qeverisë.

Të ngjashme