Kusari-Lila: Kelkos ka marrë leje nga ministria për operimin e hidrocentraleve në Bjeshkët e Deçanit

Prishtinë | 11 Nën 2020 | 20:25 | Nga Ekonomia Online

Kompania Kelkos ka marrë leje mjedisore nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit për operimin e hidrocentraleve në bjeshkët e Deçanit. Këtë e ka bërë të ditur deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila.

Ajo përmes një postimi në Facebook ka thënë se kjo leje është lëshuar pa i plotësuar kriteret dhe të enjten Zyra e Rregullatorit të Energjisë, në takimin e saj të radhës e ka në agjendë, shqyrtimin e aplikacionit (Licences) për kompaninë në fjalë.

Kusari-Lila ka theksuar se komuna dhe qytetarët kanë kundërshtuar operimin e kompanisë pa plotësim të kushteve apo në tërësi operimin pa rehabilitimin e dëmeve të shkaktuara nga kompania në këto bjeshkë.

“D.m.th., ligjet nuk zbatohen nga Ministria e thirrur për të mbrojtur mjedisin dhe legalizohen nga Agjencioni i cili i raporton Kuvendit”, ka shkruar ajo.

Ajo i ka bërë thirrje ministrit të Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, që para takimit të ZRRE-së të publikojë bazën ligjore me të cilën ka ndarë hidrocentralet dhe opinionin ligjor i cili ka rekomanduar ndarjen HC Belaja dhe HC Deçani.

Kusari-Lila ka kërkuar të publikohet se si janë përcaktuar ndikimet në mjedis të dy hidrocentraleve dhe çfarë kushtesh ka plotësuar kompania për t’u pajisur me lejen mjedisore.

“Si u sigurua Ministria e Ambientit që kaptazhat e ujit përgjatë Grykës së Deçanit dhe afër hidrocentralit Belaje dhe Deçan janë kthyer në gjendjen e mëparshme? Kush ka dalë në terren? çfarë raporti kanë përgatitur dhe kush i ka nënshkruar raportet? Kërkoj nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit që nesër URGJENT të publikojnë të gjitha dokumentet e nënshkruara për leje mjedisore për kompaninë KELKOS para takimit të ZRRE-së në ora 9:30”, ka thënë ajo.

Në të kundërtën, Kusari-Lila ka paralajmëruar se “e gjithë dosja do të dërgohet menjëherë në prokurori bashkë me emrat e të gjithë zyrtarëve të nënshkruan lejen mjedisore”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme