Kush është Peter Beyer, raportuesi i zgjedhur për Kosovën në Këshillin e Evropës

Prishtinë | 14 Nën 2019 | 16:51 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i Bundestagut gjerman, Peter Beyer është përzgjedhur sot raportues i Kosovës në Këshillin e Evropës.

Beyer mposhti kundërkandidatin e tij rus, Aleksey Kondratyev me prejardhje ruse. Për kandidimin e Kondratyev kishte pasur reagime të shumta nga Prishtina.

Instituti i Prishtinës për Studime Politike-PIPS, gjatë ditës së djeshme ka thënë se mbi 40 organizata të shoqërisë civile kosovare kanë përkrahur letrën e dërguar Këshillit të Evropës, Asamblesë Parlamentare dhe Komitetit për Çështje Politike, duke i bërë thirrje për të parandaluar përzgjedhjen e delegatit rus të Asamblesë Parlamentare, Alexey Kondratyev në pozitën e raportuesit për Kosovën.

Por kush është Peter Beyer?

Peter Beyer ka lindur më 25 dhjetor 1970. Ai është anëtar i Bundestagut gjerman që nga viti 2009.

Pasi përfundoi shkollimin e lartë në vitin 1991, ai kreu edhe shërbimin ushtarak në Wuppertal.

Beyer më pas studioi për drejtësi në universitetin e Dusseldorf dhe të Bonit. Në vitin 1999, ai diplomoi dhe më pas u punësua.

Beyer filloi karrierën e tij si avokat në studion ligjore Broën & Platt. Gjithashtu, ai ka punuar me studiot ligjore Brinks, Hofer, Gilson & Lione në Çikago dhe Murchison & Cumming në Los Anxhelos.

Në vitin 2000, ai u regjistrua në një program studimesh juridike pasuniversitare në Shkollën e Drejtësisë të Universitetit të Virxhinias në Charlottesville dhe mori një diplomë Master.

Pas kthimit në Gjermani, Beyer vijoi karrierën në studion ligjore Beyer në Ratingen, ku ai u bë një nga specialistët e parë të vendit të certifikuar zyrtarisht për çështjet e pronësisë intelektuale.

Në vitin 2009, 2013 dhe 2017 ai u zgjodh deputet i Bundestagut gjerman për të përfaqësuar qytetarët e Heiligenhaus, Ratingen, Velbert dhe Wulfrath.

Beyer është një nga njerëzit që promovon dhe lobon për një marrëdhënie të fortë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanadanë.

Ai shërben si Raportues Special i Parlamentit për Marrëdhëniet Transatlantike në Komisionin për Punë të Jashtme. Ai është një anëtar aktiv disa organizatave dhe institucioneve që promovojnë bashkëpunimin me SHBA-të.

Beyer është gjithashtu nënkryetar i Shoqatës së Evropës Juglindore.

Qëndrimi i Peter Beyerit për kufijtë e Kosovës

Peter Beyer gjatë një vizite që kishte realizuar në Kosovë, ka thënë se janë të qëndrimit që Kosova të jetë ashtu siç është- pa ndryshim të kufijve.

“Kosova duhet t’i ruajë kufijtë e vet që ka. Është vërtet e dëmshme, që jo të gjitha shtetet evropiane e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, prandaj në këtë kuadër ju bëjë thirrje 5 vendeve anëtare të BE-së që ta njohin Kosovën. Kosova gjendet para zgjedhjeve parlamentare dhe është një fushatë shumë e shkurtër, kështu që partitë politike i kanë vetëm pak ditë që të fitojnë besimin e elektoratit. Dje isha në Beograd, kam bërë ftesë edhe atje për të rifilluar dialogun me Kosovën. Qeveria e re e Kosovës që duhet të krijohet pas zgjedhjeve, të kthehet në proces pa kushte. Gjermania është e gatshme ashtu sikurse në të kaluarën që ta mbështes Kosovën”, kishte thënë Peter Beyer.

Qëndrimi i Peter Beyer për liberalizimin e vizave

“Gjermania është në shtet mbështetës për integrimin e Kosovës dhe liberalizimin e vizave. Ka pasur edhe data, një datë kurrë nuk e kemi cekur nga ana jonë. Vërtet nuk është e drejtë që Kosova është i vetmi vend që nuk ka liberalizim të vizave. Unë nuk do ta jap datën, mirëpo ndoshta do të jetë shpërblim për Krishtlindje”, kishte pohuar ai.

Peter Bayer, po ashtu u ka bërë thirrje  pesë vendeve të BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës që ta bëjnë një gjë të tillë.

Zgjedhjen e Peter Beyer si raportues për Kosovën e kanë përshëndetur personalitete të ndryshme, duke vlerësuar atë si vendim pozitiv./Telegrafi/

Të ngjashme