Kush është Vlora Hyseni, gruaja të cilën Osmani dhe Kurti e shkarkuan nga pozita e zv/drejtoreshës së AKI-së

Prishtinë | 30 Qer 2021 | 15:43 | Nga Ekonomia Online

Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kanë marrë vendim sot për ta shkarkuar sot Vlora Hysenin nga pozita e zëvendësdrejtoreshës së Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

Në njoftimin e lëshuar nga Presidenca nuk është bërë e ditur arsyeja e shkarkimit të Vlora Hysenit. Aty vetëm thuhet se zëvendësdrejtoresha e deritashme e AKI-së obligohet që ta bëjë dorëzimin e të gjitha mjeteve dhe materialeve me të cilat ka qenë e ngarkuar dhe t’i ruajë të gjitha informacionet që i ka marrë gjatë ushtrimit të detyrës.

Kush është Vlora Hyseni?

Vlora Hyseni e ka udhëhequr AKI-në për katër muaj, gjatë periudhës sa ky institucion që mbledh dhe shpërndan informacione të rëndësishme për shtetin te kryeministri dhe presidenti kishte mbetur pa drejtor. Ajo ishte në krye të këtij institucioni që nga dhjetori i vitit të kaluar kur ishte shkarkuar drejtori Kreshnik Gashi, deri në prill të këtij viti, kur në detyrën e drejtorit u emërua Petrit Ajeti, shkruan Gazeta Express.

Hyseni nga informacionet e pakëta që dihen për të, paraqitet si eksperte dhe njohëse shumë e mirë e çështjeve të sigurisë, marrëdhënieve ndërkombëtare.

Ajo flet disa gjuhë të huaja.

Në shkurt të vitit 2019, Vlora Hyseni ishte emëruar zëvendësdrejtoreshë e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

Paraprakisht, ajo kishte qenë drejtoreshë për marrëdhënie me jashtë në AKI.

Të ngjashme