Kush ishte Grupi i Kumanovës dhe historia e njerëzve të përfshirë atje që rikthehet vazhdimisht

Prishtinë | 20 Nën 2021 | 18:29 | Nga Ekonomia Online

Një deklaratë e deputetes së PDK’së, Blerta Deliu, në Kuvendin e Kosovës ka bërë që të rikthehet në vëmendje “Grupi i Kumanovës”. Deliu ka nxitur një debat të tillë në vend teksa në përplasje e sipër me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ia ka përmendur kësaj të fundit faktin se “kunatin e ka të akuzuar për terrorizëm në Maqedoni”.

Haxhiu në kundërpërgjigjen e saj ka sqaruar se rasti për të cilin flet deputetja Deliu ka të bëj me “Grupin e Kumanovës”, më konkretisht bëhet fjalë për Muhamet Krasniqin e njohur ndryshe edhe si “Komandant Malisheva” e i cili është një nga të dënuarit me burgim të përjetshëm nga Gjykata Themelore e Shkupit.

Por kush janë “Grupi i Kumanovës”, çfarë ndodhi atje dhe pse gjithmonë ndizet debat në Kosovë sa herë rikthehet kjo temë.

E gjithë ngjarja kishte ndodhur në vitin 2015 në datat 9 dhe 10 maj në Maqedoni, ku si rezultat i përplasjeve të armatosura në Kumanovë më konkretisht në “Kodrën e Trimave” kishin mbetur të vrarë 8 pjesëtarë të forcave policore maqedonase dhe dhjetë pjesëtarë të grupit të armatosur.

Të shtënat kishin nisur në orët e hershme të mëngjesi të 9 majit 2015, derisa lagjia “Kodra e Trimave” ishte shndërruar në një zonë luftimesh të ashpra me banorët që ishin tronditur pa e ditur se çfarë po ndodhte dhe kush me kënd po luftonte. Pas përfundimit të luftimeve, lagjia ngjasonte me një gërmadhë.

Luftimet kishin zgjatur dy ditë, duke mbetur të vrarë 8 policë të Maqedonisë dhe 10 pjesëtarë të “Grupit të Kumanovës”, derisa pjesa tjetër  e grupit ishin dorëzuar dhe më pas edhe arrestuar.

Shumica e pjesëtarëve të këtij grupi ishin nga Kosova e që gjatë kohës së luftës në Kosovës disa kishin qenë edhe pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Siç kishin deklaruar nga ky grup, vendosja e tyre në Kumanovë ishte bërë për shkak të shkeljes së të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni.

Derisa kjo ndërhyrje dhe bastisje e shtetit të maqedonas në lagjen “Kodra e Trimave” kishte ardhur në një kohë tensionesh politike Maqedoni, ku liderët e opozitës kishin organizuar protesta të mëdha e ku bënin thirrje që t’i jepej fund pushtetit të kryeministrit maqedonas Nikolla Gruevski.

Të vdekur nga luftimet në Kumanovë kishin mbetur Xhafer Zymberi, Mirsad Ndrecaj, Valon Kabashi, Turgaj Rexhaj, Samid Rashiti, Fatlum Vishella dhe Arben Rexhaj nga Kosova dhe Nysret Kolshi nga Shkupi.

Për Mirsad Ndrecaj dhe Begë Rizajn ka dyshime se mund të jenë vrarë pasi ishin arrestuar nga policia maqedonase në përfundim të aksionit të 9 dhe 10 majit në Lagjen e Trimave në Kumanovë.

Trupat e disa tyre janë varrosur në fund të majit 2015 në Varrezat e Dëshmorëve në Prishtinë, derisa trupi i Begë Rizajt është varrosur në Kompleksin Memorial në Gllogjan të Deçanit

Ndaj personave të cilët ishin dorëzuar dhe më pas edhe arrestuar nga shteti maqedonas, Gjykata Themelore e Shkupit ka shqiptuar gjithsejtë 746 vjet burg, duke i akuzuar për terrorizëm për ngjarjet e 9 dhe 10 majit të vitit 2015.

Për veprën terrorizëm ishin akuzuar gjithsej 37 persona, prej të cilëve 7 me burg të përjetshëm. Të dënuarit me burgim të përjetshëm janë: Andi Krasniqi, Dem Shehu, Fadil Fejzullahu, Nasuf Zeqiri, Valdet Zekaj, Bek Bajra dhe Fejzulla Rushitovski.

Trembëdhjetë janë dënuar me nga 40 vjet burg: Esat Kafegjolli ,Adrian Bujari,Shefqet Hallaqi, Betim Kabashi, Genti Sefaj, Enver Hoxha-Klajn , Rufki Dogani, Bajram Elshani, Nexhmedin Lika, Lirim Krasniqi, Sevdail Miftari dhe Fatmir Recica.

Përderisa 6 prej 37 të akuzuarve janë dënuar me nga 20 vjet burg.

Të dënuarit me nga 20 vjet burg janë: Fadil Elshani, Lirim Demiri, Hajrush Abdija, Lendrit Rustemaj, Mirsad Qerimi dhe Qenan Hiseini.

Kurse të akuzuarit e tjerët janë dënuar me nga 18 vjet e më poshtë. Ragmi Latifi është dënuar me 18 vjet heqjen lirie, Irfan Lutfiu me 14 vjet, Arsim Bajrami me 13, Musa Pajaziti me 12, Seadudin Abdullahu 14, Elham Arifi me 13 dhe Ebib Alimi me 12 vjet burg, shkruan REL.

Shumica e të dënuarve janë shtetas të Kosovës, të cilët edhe llogariten si organizatorë të ngjarjeve në Lagjen e Trimave në Kumanovë.

Gjykata Penale kishte liruar si të pafajshëm Ibrahim Murtezanin, Besnik Bajramin, Fazli Osmanin dhe Besnik Ajdinin.

I gjithë gjykimi në nëntorin e vitit 2017 ishte zhvilluar nën masa të rrepta të sigurisë, derisa  pjesëtarët e “Grupit të Kumanovës” ishin larguar nga salla e gjyqit pas thirrjeve “UÇK, UÇK, UÇK”.

Të dënuarit nga shteti maqedonas për ngjarjet në Kumanovë dje kanë folur edhe në një lidhje direkte në FRONTAL të T7 , teksa janë shfaqur të irrituar me termin e përdorur nga deputetja Deliu.

Muhamet Krasniqi i njohur edhe si “Komandant Malisheva”, duke thënë se një terminologji të tillë e përdor vetëm armiku.

“Edhe akuzuar jemi edhe dënuar. Por secili shqiptar që i bashkohet asaj akuze kundër nesh, del në kahun e kundërt. Sepse ne e dimë që përveç shteteve sllave, përfshirë Serbinë dhe Rusinë, na kanë quajtur të tillë, ndërsa e gjithë bota demokratike, nuk ka asnjë shtet dhe asnjë politikan që na ka quajtur terrorist”, ka thënë “Komandant Malisheva” për FRONTAL.

Ai thotë se kushdo që pajtohet me akuzën për “terrorizëm” del në krahun e armikut.

Derisa deputetja Blerta Deliu ka reaguar pas gjithë debatit duke thënë se s’ka pasur kurrfar qëllimi kur ka përmendur rastin në fjalë dhe se një deklaratë të tillë e kishte thënë e nxitur nga akuzat e Haxhiut.

“Të dashur bashkëqytetarë të Kosovës dhe bashkëkombës tanë. Një seancë e zakonshme që do të duhej të përmbushte misionin legjislativ të Kuvendit, sot u shndërrua në arenë të sulmeve e shpifjeve më të ulta nga Ministrja Albulena Haxhiu, e cila duke dëshmuar në mënyrë konsistente paaftësinë e saj, paturpësisht shfrytëzon besimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës, për ta drejtuar këtë paaftësi si mllef patetik ndaj opozitës, në këtë rast, ndaj meje si deputete e Kuvendit. Ky pushtet arrogant për nga natyra, tashmë ka marrë formë edhe përmbajtje të hapur, me sulme e shpifje, si mënyra e vetme për t’iu shmangur ballafaqimit të njëmend me fakte e argumente, pikërisht si mënyrë për të amnistuar dështimet dhe paaftësinë. Në rrethana të këtij diskursi të nxitur nga pushteti, duke u ballafaquar me shpifjet e Ministres Haxhiu, kam cilësuar pa qëllim një rast që ndërlidhë Ministren Haxhiu me familjarë të saj, të cilët nga një entitet i huaj juridik janë akuzuar gjoja për terrorizëm. As nuk kam thënë e as nuk kam menduar dhe as nuk besoj që ata janë “terroristë”. Ndjej vërtetë keqardhje, që kjo deklaratë e thënë në kontekst të ballafaqimit me shpifjet e Ministres Haxhiu, të mund të ketë lënduar personat në fjalë, familjet e tyre apo çdo kënd tjetër në çfarëdo forme, dhe keqardhja ime është e sinqertë, sepse në asnjë rast nuk ka qenë qëllim i imi, të ketë këso cilësimesh. Në anën tjetër, përpjekja për ta përdorur këtë diskurs nga reagimet e pushtetit arrogant, si instrument për të bërë çfarëdo cilësimi e ndërlidhje që lëndon kauzën tonë dhe luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës brenda këtij konteksti, me mua si politikane dhe deputete, janë irracionalitet. Unë, para se të jem deputete, i takojë dy familjeve Kodra (Prekaz) dhe Deliu (Rezalle), të cilat kanë kontribuar dhe dhënë shumë për vendin dhe lirinë tonë. Jam e vetëdijshme se kurrë nuk mund t’u dalim hak atyre që kanë dhënë gjithcka për këtë liri. Përulja dhe respekti shkon për të gjithë ata që nuk kanë kursyer asgjë për liri”, ka shkruar Deliu.

Të ngjashme