Kushtet ndërtimore për lagjen në Badovc nuk kanë vlerë pa pëlqimin mjedisor të MMPH-së

Prishtinë | 20 Jan 2020 | 07:38 | Nga Ekonomia Online

Kushtet ndërtimore të lëshuara nga Komuna e Prishtinës për kompanitë që planifikojnë të ndërtojnë lagje buzë Liqenit të Badovcit vlejnë vetëm pas sigurimit të pëlqimit mjedisor nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Në vendimin për caktimin e kushteve ndërtimore, të cilin gazeta e ka siguruar përmes qasjes në dokumente zyrtare, thuhet se kriteret e përcaktuara me pëlqim mjedisor ose autorizim mjedisor nga MMPH-ja janë pjesë përbërëse e kushteve ndërtimore, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Në rast të mossigurimit të pëlqimit mjedisor ose autorizimit mjedisor nga MMPH-ja, kushtet ndërtimore pushojnë se vlejturi”, thuhet në këtë vendim. Vlefshmëria e vendimit për caktimin e kushteve ndërtimore do të jetë një vit me mundësi të vazhdimit për një vit tjetër, në rast se nuk ka ndërruar gjendja ekzistuese apo dokumenti i planifikimit hapësinor, si dhe me aplikim pas skadimit të afatit të vlefshmërisë. Kompanitë ende nuk kanë aplikuar për pëlqim mjedisor në MMPH, por kanë paralajmëruar se do ta bëjnë një gjë të tillë.

Projekti për ndërtimin e lagjes pranë Liqenit të Badovcit është bërë publik më 8 janar të këtij viti. Në një postim në Facebook, kompania “KAWA Grup” ka bërë publike se është zyrtarizuar marrëveshja trepalëshe me pronarin e tokës, Rahman Haradini, dhe kompaninë “4M Group” për realizimin e lagjes “Lakeside Gardens”. Projekti është realizuar nga kompania “Lakeside Gardens”, e cila është pronë e Haradinit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme