Kushtetuesja e deklaron të papranueshme kërkesën e Haradinajt për interpretim të dorëheqjes

Prishtinë | 04 Sht 2019 | 17:15 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës e ka cilësuar si të papranueshme kërkesën e Ramush Haradinajt, lidhur me atë se a kishte të drejtë të thërriste takime të Qeverisë edhe përkundër faktit që kishte dhënë dorëheqje të parevokueshme.

Në vendim të Gjykatës thuhet cështjet e ngritura nga Haradinaj nuk hyjnë në fushëveprimin e juridiksionit të Gjykatës Kushtetuese.

Ky vendim i Kushtetueses për kërkesën e Haradinajt vjen në kohën kur tashmë Kosova nuk ka as Kuvend dhe kur zgjedhjet e parakohshme janë caktuar të mbahen më 6 tetor.

Vendimi i plotë:

 Aktvendim Lënda: KO 124/19 Parashtrues: Kryeministri (në dorëheqje) i Republikës së Kosovës Objekt i çështjes së kërkesës ishte interpretimi i aktit të dorëheqjes së Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe definimi i kompetencave dhe funksionimit të Qeverisë, pas dhënies së dorëheqjes së Kryeministrit. Kërkesa bazohej në paragrafin 10 të nenit 93 [Kompetencat e Qeverisë], në lidhje me nenin 113 [Jurisdiksioni dhe palët e autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. – Gjykata konkludoi se çështjet e ngritura nga parashtruesi i kërkesës nuk hyjnë në fushëveprimin e jurisdiksionit të Gjykatës Kushtetuese, siç përcaktohet me nenin 113 të Kushtetutës. Rrjedhimisht, në pajtim me nenin 113, paragrafi 1, të Kushtetutës, dhe me rregullin 59 (2) të Rregullores së punës, Gjykata njëzëri vendosi: TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme.

Të ngjashme