Kuvendi kërkon llogari nga UEFA për telashet e transmetimit të Ligës së Kampionëve

Prishtinë | 14 Sht 2018 | 13:15 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Shitja e të drejtave mediale nga UEFA në territorin e Republikës së Kosovës, nëpërmjet thirrjes për ofertim në territorin e Serbisë ka bërë të mblidhen urgjentisht Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Medie, përfaqësuesit e Komisionit të Pavarur për Medie dhe RTK-së.

Kryesuesi i komisionit, Nait Hasani, tha se UEFA nuk ka të drejtë t’i dëmtojë televizionet vendore dhe t’ia japë të drejtën Serbisë për transmetimin e ndeshjeve, raporton Ekonomia Online.

Ai kërkoi përgjigje nga ana e UEFA-s për pyetjen pse i është dhënë e drejta për transmetim dy kompanive në të njëjtën kohë dhe tha se pret nga ta të ndëshkohen operatorët të cilat kanë vepruar kundërligjshëm në transmetimin e ndeshjeve.

Sipas tij, UEFA nuk ka të drejtë t’i japë të drejta Serbisë për territorin e Kosovës.

“Me kërku nga UEFA me korrigju këtë veprim ose në të kundërtën ne si komision duhet të ngrisim këto çështje edhe në Kuvend. Pyetja e parë që do t’i bëjmë është për të drejtat mediale për Kosovë. Janë dy nënshkrime të kontratës më 9 nëntor 2017 nga Serbia dhe në janar-shkurt 2018 të nënshkruar nga Kosova. D.m.th, në 2018 e njeh Kosovën dhe në 2017 i jep Serbisë”.

“Një pyetje konkrete UEFA-s, sepse dëmi më i madh është se ne e emetojmë kroatisht, kur një operator i Kosovës del thotë se ne do ta transmetojmë kroatisht dhe të drejtat i merr nga Telekomi i Serbisë shkelet kushtetuta dhe e drejta, deri në fillimin e javës kur fillojnë ndeshjet ne duam përgjigje nga UEFA”, tha Hasani.

Kryetari i KPM-së, Mujë Ferati, tha se, sipas listës së UEFA-s, të drejtën për transmetim për Serbi e ka Telekomi i Serbisë, RTS, në territor të Kosovës është Kujtesa net me të drejta ekskluzive.

“KPM me 6 shtator ka pranuar një ankesë nga Kujtesa.net për Artmotion, ku kujtesa bën me dije që nëpërmjet Arena Sport ka filluar transmetimi i ngjarjeve sportive të Ligës së Kampionëve, ku Kujtesa.net e ka ekskluzivitetin për në Kosovë. Ne kemi kontaktuar me Artmotion ku është bërë ankesa dhe kemi kërkuar sqarim se çka ka ai lidhje me transmetim dhe Artmotion ka bërë një marrëveshje për transmetim të Ligës së Kampionëve nëpërmjet ‘Arena Sport’ të Serbisë dhe këtë e ka siguruar nga Telekomi i Serbisë dhe kemi komunikuar me UEFA-n, në bazë të një tenderi për të drejtat e transmetimit në territorin e Serbisë, kjo e drejtë i është dhënë Radio Televizionit të Serbisë që është në kuadër të Telekomit të Serbisë”, tha Ferati.

Ferati tha se i kanë dërguar UEFA-s pyetje se si ka guxuar t’i japë Serbisë tender për këtë transmetim, por që ende këta të fundit nuk kanë marrë përgjigje.

Kryeshefja ekzekutive e zyrës ekzekutve të KPM-së, Naile Selimaj Krasniqi, tregoi se kanë kërkuar nga Artmotion dëshmi për të drejtat e transmetimit të ndeshjes, dhe, bazuar në dëshmitë e ofruara, kanë kuptuar se Artmotion ka të drejta joekskluzive në gjuhën serbe, raporton EO.

“Pas hapave që i kemi marrë, ku i kemi kërkuar Artmotion me i dërgu dëshmitë që ka të drejta për transmetim të ndeshjes, ne i kemi marrë dy dëshmi, nga kujtesa e cila ka të drejta ekskluzive dhe artmotion për të drejta joekskluzive, por në gjuhën serbe”, tha Krasniqi.

Krasniqi tha se kanë kërkuar sqarim nga UEFA, pasi që kujtesa.net ka të drejta ekskluzive për territor të Kosovës në gjuhën shqipe, ndërsa operatori nga Serbia nga Telekomi, RTS ka të drejta joekskluzive.

Anëtari i komisiomit, Milaim Zeka, tha se kjo ka ndodhur edhe në të kaluarën, por që nuk e kemi blerë nga Serbia direkt, por nëpërmjet Shqipërisë i kemi blerë transmetimet dhe ata nga Serbia, që, sipas tij, është e njëjta, por vetëm me procedurë ndryshe.

“Janë dy tendera, problemi që ka ndodhë sot zbulon edhe plot tjera skandale, në Shqipëri edhe Tringu edhe Digitalb gjithmonë kanë blerë të drejta nga Serbia dhe ne ato i kemi transmetuar dhe kjo ka qenë vërejtja ime. Këto sisteme kabllovike kanë hyrë në mënyrë mafioze në Kosovë dhe kanë vepruar si të tilla dhe të drejtën që e kanë marrë në Shqipëri e kanë shfrytëzuar për transmetim sportiv në Kosovë”, tha Zeka.

Zeka tha se Artmotion nuk ka vepruar kundërligjshëm pasi që, sipas tij, kur UEFA ka shpallur tenderin ajo ka konkurruar njëjtë si kompanitë e tjera dhe s’ka konkurruar e vetme, por ata e kanë marrë të drejtën pasi që ka paguar më mirë.

Zeka tha se nuk dëshiron t’i dalë në mbrojtje askujt, pasi që nuk ka asnjë interes nga Devollët, por nëse do të merret sot një vendim do të ishte i nxituar politikisht, raporton EO.

“Çdo vendim që merret sot është i nxitur politikisht. Unë nuk kam asnjë interes nga Devollët”, tha ai.

Xhevahire Izmaku u shpreh e pakënaqur me performancën dhe mënyrën se si funksionon KPM-ja, pasi që sipas saj, mes KPM-së dhe komisionit nuk ka asnjë komunikim.

Anëtari i komisionit, Valon Ramadani, tha se në këtë rast janë bërë dy shkelje, njëra ka ndodhur nga UEFA dhe tjetra nga Artmotion ose nga Devollët.

“Ata që e marrin në këtë formë kanë bërë shkelje dhe kërkoj nga KPM që Artmotion t’i merret licenca, siç ka pasë vendime në të kaluarën që ka pasë televizione që u është marrë licenca, sepse ka bërë veprim të kundërligjshëm”, tha Ramadani.

“Ne presim nga ju dhe mendoj se ne si komision duhet UEFA-s një notë proteste t’ia dërgojmë ne si Kuvend, sepse ka shkelur kushtetutën që ka marrë vendim që nëpërmjet Serbisë të transmetohen ndeshjet kur edhe Kosovën e njeh si pjesë e federatës së UEFA-s”, tha Ramadani.

Drejtori i Televizionit të Kosovës, Lorik Arifaj, tha se operatori që e fiton tenderin ka të drejtë ta shesë transmetimin brenda territorit të vet, por RTK në të kaluarën nuk e ka bërë një gjë të tillë për të mos humbur ekskluzivitetin.

Ai tha që edhe RTK ka konkuruar për këtë tënder të transmetimit të ndeshjeve, por që nuk ka mundur ta fitojë.

“Ne jemi munduar t’i sigurojmë të drejtat për Kosovën siç i kemi pasur në të kaluarën, ne kemi pasur të drejtë me i shitë brenda territorit të Kosovës, por nuk e kemi bërë një gjë të tillë që të mos ta humbasim ekskluzivitetin”, tha ai.

Të ngjashme