Ky është paneli i Apelit që do të vendosë për ankesën e Thaçit ndaj vendimit për vazhdim të paraburgimit

Prishtinë | 27 Gus 2021 | 11:39 | Nga Ekonomia Online

Faqja zyrtare e  Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ka bërë të ditur se kryetarja  Ekaterina Trendafilova e ka caktuar përbërjen e panelit që do të vendosë lidhur me ankesën e mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi.

E kjo ankesë është parashtruar me anë të vendimit të cilin gjyqtari paraprak i ka vazhduar masën e paraburgimit Thaçit.

Sipas vendimit të marrë nga Trendafilova, paneli i Apelit do të përbëhet nga gjyqtarët Michèle Picard, Emilio Gatti dhe Nina Jørgensen.

Ndryshe, më 24 gusht Trendafilova ka hudhur poshtë kërkesën e mbrojtjes së Hashim Thaçit, për vetëtërheqjen e saj nga detyra specifike e caktimit të panelit të Gjykatës së Apelit, i cili do të vendosë rreth kësaj ankese.

Këtë kërkesë mbrojtja e ish-presidentit të Republikës së Kosovës e kishte parashtruar më 16 gusht.

Ndryshe, më 9 nëntor, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij me 10 nëntor, sikurse edhe Selimi me 11 nëntor.

Të ngjashme