Lajçak e pranon se është propozuar për emisar të BE-së në dialogun Kosovë –Serbi

Prishtinë | 13 Shk 2020 | 14:29 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Punëve të Jashtme të Sllovakisë, Miroslav Lajcak, i shumë përfolur si Përfaqësues i mundshëm Special i Bashkimit Evropian për dialogun Prishtinë-Beograd, ka thënë se për angazhimin e tij të ardhshëm politik do të merr një vendim final brenda dy javëve të ardhshme, pas zgjedhjeve të përgjithshme në Sllovaki.

I pyetur nga mediat edhe për mundësinë që ai të emërohet si Përfaqësues Special i Kombeve të Bashkuara për rajonin e Saharasë Perëndimore, Lajcak ka thënë se është duke konsideruar disa oferta të ndryshme, duke potencuar se me shumë gjasë do të mbetet i përkushtuar në Ballkan për gjithë jetën, duke qenë se një nga ofertat është nga rajoni.

“Duket se do të mbetem i përkushtuar për Ballkanin gjithë jetën time. Në këtë moment, sido që të jetë, jam duke analizuar disa oferta të ndryshme, por njëra nga to është nga rajoni”, ka thënë Lajcak, shkruan agjencia sllovake e lajmeve TASR, transmeton Gazeta Express.

Lajcak ka thënë se nuk e sheh veten teksa merret me politika të brendshme, duke shfaqur kështu dëshirën e tij për t’u kthyer në zanatin e tij të më hershëm.

“S’kam ndaluar asnjëherë së qeni diplomat”, ka thënë Lajcak.

Për mundësinë e emërimit të Lajcak ka folur edhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vucic, i cili ka thënë se nuk e përjashton mundësinë që diplomati sllovak të jetë Përfaqësues Special për dialogun Kosovë Serbi.

Ndërkohë Lajcakun këto ditë në Mynih të Gjermanisë do ta takojë edhe presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i cili do të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih përgjatë  14 dhe 16 shkurtit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme