Lansohet fushata për mbjelljen e 1.8 milionë drunjve “T’i japim vendit ngjyra”

Prishtinë | 24 Nën 2020 | 10:48 | Nga Përparim Bublaku Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në “Këndin Olimpik” i cili ndodhet në Kampusin Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, është bërë lansimi i fushatës për mbjelljen e 1.8 milionë drunjve, “T’i japim vendit ngjyra”, raporton Ekonomia Online.

Kjo fushatë është organizuar nga Let’s Do It Kosova dhe Komiteti Olimpik i Kosovës.

Më këtë rast është bërë mbjellja e 18 drunjve nga të pranishmit.

Luan Hasanaj nga “Let’s Do It Kosova”, tha se hapja e kësaj fushate është e rëndësishme për vendin, e cila kontribuon për një ambient më të pastër.

“Kjo fushatë është shumë e nevojshme për vendin tonë. Kampusi i Universitetit të Prishtinës, është vendi më i mirë për të nisur këtë fushatë, nga ku u nisën shumë aktivitete të mëdha. Mbjellja e 1.8 milionë drunjve përkon me numrin e banorëve të Kosovës” tha ai.

Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, tha se kjo fushatë ka mbështetje nga sportistë e organizata të ndryshme.

Ai tha se në Këndi Olimpik në Kampusin e Universitetit të Prishtinës përveç mbjelljes së drunjve, do të vendosën edhe rrathët olimpik.

” Në Këndin Olimpik do të mbjellim 18 drunj dhe do të vendosen rrathët olimpik ku do të simbolizojnë bashkimin e të gjithë sportistëve”, tha Hasani.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti tha se është nder që kjo fushatë fillon në Kampusin e UP-së. Ai tha se ato do të vazhdojnë të kontribuojnë në rritjen e hapësirave të gjelbra.

“Realizimi i fushatave të tilla në të kaluarën, dhe tash tregon përkushtimin e UP-së për një ambient të pastër. Ne do të vazhdojmë të përkrahim dhe të jemi kontribuues për një ambient të pastër”, tha ai.

Ndërsa, ministri i Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa tha se sipërfaqet me drunj përbëjnë pasuri për vendin dhe se janë të obliguar të ruajnë hapësirat. Ai tha se gjatë 10 viteve të ardhshme në Kosovë pritet të jenë 29,000 hektarë pyje të reja.

“Iniciativa e sotme e cila parasheh mbjelljen e 1.8 milion fidanëve përgjatë 10 viteve të ardhshme do të jetë vlerë e shtuar për vendin tonë dhe përkrahje për strategjinë që ka veçse Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. Pyjet e Kosovës janë të definuar me ligj si resurse kombëtare. Hapësirat e gjelbra mbulojnë një pjesë të konsiderueshme të territorit të Republikës së Kosovës, andaj mbrojtja, mirëmbajtja, kultivimi, pyllëzimi dhe ripyllëzimi i tyre paraqet përgjegjësi dhe obligim me rëndësi të veçantë”, tha Ministri Mustafa.

Zëvendësministrja e Ekonomisë dhe Ambientit, Burbuqe Bakija-Deva, tha se krijimi i hapësirave të gjelbra ka ndikim të madh për një mjedis të pastër. Ajo tha se ministria e Ambientit është e fokusuar për një mjedis të pastër dhe për një ekonomi të qëndrueshme.

Zëvendësministri i Kulturës, Engelbert Zefaj, tha se aktivitet që bëhen për të ruatje të ambientit meritojnë të përkrahen.

.”Sot kur e gjithë bota është në luftë për ruajtje të ambientit, është kënaqësi të shohim në Kosovë të ri dhe të reja që punojë për të ruajtur ambientin dhe se meritojnë përkrahje”, tha ai.

Gjithashtu, xhudistja kosovare, Majlinda Kelmendi është emëruar ambasadore e kësaj fushate.

Të ngjashme