Lansohet udhëzuesi për përfshirjen e personave me aftësi të kufizuar në zgjedhje

Prishtinë | 22 Kor 2016 | 11:58 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në Kosovë llogariten të jenë rreth 200 mijë persona me aftësi të kufizuara, ndaj të cilëve duhet t’u jepet hapësirë dhe mundësi që të jenë pjesëmarrës në proceset politike. Andaj, përfshirja e personave me aftësi të kufizuara është detyrim ligjor me konventa ndërkombëtare dhe legjislacionit vendor.

Kështu u tha në prezantimin e Udhëzuesit për përfshirjen e personave me aftësi të kufizuar në proceset zgjedhore dhe politike nga Fondacioni Ndërkombëtar për Sisteme Zgjedhore (IFES).

Lansimi i këtij udhëzuesi u përcjell me një tryezë të rrumbullakët në të cilën përfaqësues të institucioneve të ndryshme dhe subjekteve politike kanë diskutuar në lidhje me problemet më të zakonshme në përfshirjen e personave me aftësi të kufizuar në proceset zgjedhore dhe politike në Kosovë.

Afrim Maliqi, kryesues për qasje në zgjedhje ka përmendur shifra sesa persona ka kjo kategori në botë, raporton Ekonomia Online.

“Sipas organizatës botërore të shëndetësisë llogaritet se numri i personave me aftësi të kufizuara mund të përbën 15 për qind të popullatës në vend, mirëpo ky numër në Kosovë dallon për arsye se ende nuk kemi ndonjë statistikë të saktë, por konsiderohet se mund të jenë 150-200 mijë njerëz me aftësi të kufizuar”, ka thënë Maliqi.

Ai ka theksuar se personave me aftësi të kufizuara duhet t’u jepet hapësirë dhe mundësi që të marrin pjesë në proceset politike, duke përfshirë qasjen në zgjedhje dhe në procese të shumta, duke u bërë edhe ata vete pjesë e atyre proceseve politike.

Ganimete Musliu deputete nga PDK ka dhënë disa vërejtje edhe për mediet, ku sipas saj, nuk po iu japin qasje sa duhet kësaj kategorie.

“Para disa ditësh ne si PDK kishim konventën e gruas dhe doli ideja nga grupi që të paktën prezantimet kryesore në konventë të bëhen me interpretimin të shenjave, por fatkeqësish u zhgënjeva në mbrëmje kur pash lajmet të cilat e pasqyronin këtë aktivitet politik, sepse asnjë nga mediet nuk e dha prezantuesen e gjuhës së shenjave, ku ishte shumë afër prezantueses”, ka thënë ajo.

Për fund u tha se ky udhëzues është përgatitur dhe është duke u publikuar nga Grupi për Qasje në Zgjedhje (GQZ), i përbërë nga përfaqësues të Kuvendit, KQZ-së, Shoqatave të Personave me Aftësi të Kufizuar, Qeverisë dhe PZAP-së. Grupi kishte përkrahje nga USAID, përmes IFESit.

Të ngjashme