Largohet nga puna pse nuk e votoi Adrijana Hoxhiqin

Prishtinë | 11 Mar 2021 | 18:42 | Nga Ekonomia Online

Bojan Markoviq nga komuna e Ranillugut, komunë kjo me shumicë serbe, pretendon se e ka humbur vendin e punës, vetëm sepse refuzoi të votonte për Adrijana Hodxhiqin, përfaqësuese e një prej subjekteve politike boshnjake nga Mitrovica, në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit në Kosovë.

Markoviq thotë se kryetari i komunës së Ranillugut, Vlladica Aritonoviq nga Lista Serbe, i kërkoi që të votonte për Hoxhiqin.

Markoviq, i cili është baba i dy fëmijëve të mitur, punonte për kompaninë e sigurimit fizik “Scorpion” me seli në Ferizaj, e cila është në pronësi të një shqiptari. Vendi i punës së Markoviqit ishte në ndërtesën e komunës së Ranillugut. Komuna është 60 kilometra nga Prishtina.

“Ai më thirri mua (kryetari i Ranillugut, Vlladica Aritonoviq) dhe më dha një fletëvotim. E rrumbullakoj opsionin për mua dhe numrin në të djathtë, dhe më tha: ‘Këtë kërkesë do të ma respektosh. Voto për Adrijana Hoxhiqin dhe i pres katër vota nga ti’. Pra, që unë, prindërit e mi dhe gruaja ime ta mbështesnim këtë opsion”, thotë Markoviq në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë.

“Ata më thirrën më 16 shkurt (dy ditë pas zgjedhjeve) për një bisedë me kryetarin. Unë shkova dhe ai më tha: ‘Ku janë votat?’. Unë i thash se nuk mund ta votoja atë, as prindërit e mi nuk donin të votonin (për Iniciativën Qytetare Komuniteti i Bashkuar- Adrijana Hoxhiq)”, shtoi ai.

Më 21 shkurt, shtatë ditë pas zgjedhjeve, Markoviq u shkarkua nga kompania e tij e punës. Dokumenti që iu dorëzua atij me atë rast dhe të cilin e ka parë edhe Radio Evropa e Lirë, thotë se punësimi i tij është ndërprerë për shkak të “zvogëlimit të numrit të punëtorëve, sipas urdhërave të komunës së Ranillugut”.

Markoviq shton se kryetari i Komunës së Ranillugut dhe zyrtarët e tjerë shpërndanë fletëvotime me një opsion të vetëm politik, për të cilin u thoshin qytetarëve që të votojnë.

Markoviq nuk është ankuar për vendimin e punëdhënësit dhe nuk është i gatshëm që ta raportojë rastin në polici. Sidoqoftë, ai vendosi të flasë për këtë publikisht për Radion Evropa e Lirë, sepse, siç thotë, ajo që i ndodhi atij është “turp”.

Xhevat Emërllahu, pronar i kompanisë ‘Scorpion’, ka vetëm lëvdata për Bojan Markoviqin. Pavarësisht nga kjo, siç tha në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, kërkesa për zvogëlimin e numrit të punëtorëve erdhi nga komuna.

“Në momentin që Kuvendi Komunal kërkon që ne të bëjmë zvogëlimin e punëtorëve, përmes zyrës së prokurimit, ne jemi të detyruar që ta bëjmë zvogëlimin automatikisht, sepse nuk paguan ai zotëria. Nëse për shembull i kemi pesë persona dhe ai thotë ‘ke për ta larguar një person’, ne jemi të obliguar për ta zvogëluar numrin, sepse nuk paguan faturën”, u shpreh Emërllahu.

Por, Emërllahu nuk dha sqarim lidhur me atë se pse pikërisht Bojan Markoviq u pushua nga puna dhe nëse kërkesa për largimin e tij nga puna ishte bërë më sugjerim të komunës.

“Tash ma keni bërë një pyetje shumë të rëndë”, tha ai.

Emërllahu thotë se Bojani ishte një punëtor i jashtëzakonshëm, por se “Kuvendi Komunal punon në bazë të politikave që ka, të partisë, apo çfarëdo qoftë tjetër”.

“E përsëris që ai ishte një punëtor shumë i mirë, i dëgjueshëm, me sjellje të mirë dhe na respektonte”, tha Emërllahu.

Kryetari i Ranillugut, Vlladica Aritonoviq, mohon të gjitha akuzat lidhur me Bojan Markoviqin dhe shton se ai nuk u ka bërë “presion njerëzve për të votuar për ndonjë opsion politik”.

“Unë po ju them edhe një herë, për sa i përket komunës, askush nuk u largua nga puna”, i tha Aritonoviq Radios Evropa e Lirë.

Ai shtoi se është i njoftuar për rastin që një punëtor i sigurimit u pushua nga puna, por gjithashtu pretendon se komuna nuk ka asnjë lidhje me këtë.

“Ata janë aty për të siguruar objektet në territorin e Komunës së Ranillugut dhe nëse punëdhënësi i tij e pushoi nga puna, kjo nuk ka asnjë lidhje me komunën. Ai nuk është punëtor i komunës, por punonjës i një kompanie të sigurimit fizik”, thotë Aritonoviq.

“Punëdhënësi i lidh kontratat vetë dhe po ashtu vetë edhe i përfundon. Sa kam dijeni, kontratat kanë skaduar. Tani vetëm nëse atij kontrata nuk i është vazhduar dhe nuk e ka marrë ende vendimin për përfundimin e kësaj kontrate”, shton Aritonoviq.

Udhëheqësja e Iniciativës Qytetare “Komuniteti i Bashkuar, Adrijana Hoxhiq”, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë thotë “se ky është rast për policinë”.

“Shpresoj që zotëria në fjalë t’i drejtohet policisë. Nuk ka rëndësi se kush e ushtron presionin, qoftë edhe kryetari, i cili duhet të mbajë përgjegjësi para ligjit. Nuk vjen në shprehje që të ndryshohet vullneti i votuesve. Duhet të ketë liri absolute në ditën e zgjedhjeve. Unë i jam mirënjohës këtij zotërisë që nuk e dëgjoi rekomandimin dhe që nuk votoi në favor të iniciativës tonë, nëse për këtë dikush i ka bërë presion. Unë kërkoj që policia të hetojë plotësisht këtë çështje”, tha Hoxhiq.

Por ajo, njëkohësisht, tha se dyshon në vërtetësinë e rrëfimit të Bojan Markoviqit sepse “numri rendor gjashtë nuk është shtyrë përpara as në Mitrovicën e Veriut”.

“Ajo mori numrin më të madh të votave në veri të Kosovës. Sa i përket këtij numri edhe nëse do të kishte presion, ajo mori shumë pak vota nga pjesa jugore e Kosovës. Kjo, përfundimisht, është e pavërtetë”, thotë Hoxhiq.

Të ngjashme