Latiffi: Lufta e UÇK-së ishte e drejtë, nuk ka ekzistuar një platformë për të atakuar popullatën civile

Prishtinë | 28 Pri 2020 | 13:09 | Nga Ekonomia Online

Profesori universitarë Blerim Latifi në një shkrim në Facebook se për standardet e  luftës dhe përfshirjen e UÇK-së në luftën e fundit dhe qëllimet e asaj lufte.

Latifi është shprehur se lufta e UCK-së ishte e drejtë pasi kishte shkakun dhe qëllimet e arsyeshme si dhe nuk ka argumente dhe nuk ka ekzistuar kurrë një platformë e UCK-së për të atakuar popullatën civile.

Postimi i plotë:

UÇK dhe koncepti i luftës së drejtë

Në filozofinë politike perëndimore, nga Ciceroni e Shën Augustini në antikitet, e deri tek Michael Ëalzer në kohën tonë, është debatuar shumë mbi konceptin e “luftës së drejtë”. Cilat janë standardet të cilave duhet t’u përmbahet një luftë për t’u kualifikuar si e drejtë? Këto standarde janë dy llojesh : jus ad bellum apo e drejta për luftë dhe jus in bello apo e drejta në luftë.

E drejta për luftë përfshin këto standarde: shkakun e drejtë, qëllimin e drejtë, autoritetin legjitim dhe dhunën si instrument të fundit.

E drejta në luftë përfshin këto standarde: respektimin e ligjeve të luftës, dhunën proporcionale dhe jotargetimin e civilëve.

Si qëndron lufta e UÇK-së në raport me këto standarde të luftës së drejtë?

Të fillojmë nga e para, pra e drejtë për luftë.

Lufta e UÇK-së ishte e drejtë, sepse shkaku i saj ishte represioni brutal i regjimit të Milosheviqit, i cili po shkelte të drejtat natyrore të shqiptarëve të Kosovës, të drejtën e tyre për jetë, lirinë dhe pronën. Edhe qëllimi i kësaj lufte ishte i drejtë, sepse ai ishte qëllimi për t’i dhënë fund këtij represioni. E treta: lufta e UÇK-së ishte legjitime, me faktin se mbështetja e saj ishte popullore, e jo mbështetje e një fraksioni të shoqërisë. E katërta: lufta e UÇK- së erdhi pa dështimit të rezistencës paqësore për t’i dhënë fund represionit, gjë që përputhet me standardin e dhunës si instrument i fundit.

Standardet e të drejtës në luftë:

Gjyqet që janë bërë ndaj pjestarëve të UÇK-së nuk e kanë argumentuar ekzistencën e një platforme operative që bie në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare të luftës. Proporcionaliteti në përdorimin e dhunës është diçka që s’ia vlenë as të diskutohet, sepse kapacitetet reale të UÇK-së në përdorimin e forcës gjithmonë kanë qenë të tejet të kufizuara në raport me ato të ushtrisë serbe. E fundit, jotargetimi i civilëve: nuk ka ekzistuar kurrë një platformë e UÇK- së për të atakuar popullatën civile. UÇK, nga fillimi në fund, ka vepruar në zona etnikisht homogjene, madje në pozicione defansive, pozicione që nuk qëndronin gjatë për shkak të ofensivave të ushtrisë serbe. Në zonat ku ka vepruar UÇK-ja nuk ka pasur kurrë rezistencë civile ndaj saj. Rastet sporadike individuale, që mund të kenë ndodhur, nuk i plotësojnë kriteret për t’u cilësuar si rezistencë kundër autoritetit të UÇK-së. Pra, shikuar në tërësi, lufta e UÇK-së përputhet plotësisht me standardet e luftës së drejtë. Shën Augustini nuk do të hezitonte që ta përzgjedhte këtë luftë si shëmbull ilustrativ për teorinë e tij të luftës së drejtë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme