Latifi: Në Hagë është duke u lozur një lojë e madhe, Kroacia shteti më serioz për të dhënë garancinë

Prishtinë | 03 Maj 2021 | 21:31 | Nga Ekonomia Online

Profesori Blerim Latifi ka folur për mundësinë e gjykimit në liri për ish-ushtarët e UÇK’së që po mbahen në Hagë. Latifi mendon se shteti më serioz për të ofruar garancinë është Kroacia. Për këtë ai ka dhënë edhe arsyet.

Ditën e enjte në Kosovë është paralajmëruar një vizitë e Ministres së Punëve të Jashtme të Kroacisë. Latifi thotë se kjo vizitë e paparalajmëruar më herët ka të bëjë me çështjen e garancisë për ish-krerët e UÇK’së.

“Shteti më serioz në këtë drejtim duket se është Kroacia. Shihet hapur që ka një disponim tepër të madh që me i asistuar Kosovës, me i ndihmuar Kosovës në rastin e gjykimit të ish-krerëve të UÇK’së”, theksoi ai.

“Ky insistim nuk duhet të shihet thjesht si një lloj solidariteti moral me Kosovën. Konsideroj se institucionet e shtetit të Kroacisë e shikojnë nga një perspektivë më e gjerë. Në Tribunalin e Hagës është duke u lozur një lojë shumë më e madhe sesa ajo që ne e mendojmë sesa ajo që ne e shohim nga perspektiva të ngushta lokale ose partiake. Është loja për të vërtetën e luftërave në Jugosllavi”.

“Konsideroj që kroatët janë shumë të interesuar që mos të lejojnë që varianti apo interpretimi serb n luftërat në Jugosllavi të ece përpara. Por të ruhet e vërteta e vetme për luftërat në Jugosllavi që erdhën si pasojë e agresionit serb”, tha Latifi.

Të ngjashme