Latifi: Xhaminë po e ndërton Erdogani për të treguar se Kosova është nën hijen e Turqisë

Prishtinë | 22 Kor 2020 | 14:46 | Nga Ekonomia Online

Profesori i filozofisë dhe njohës i politikës në vend, Blerim Latifi, ka komentuar rreth debatit për ndërtimin e xhamisë së re në Prishtinë.


Latifi po thotë se xhamia e re në Prishtinë po e ndërton Erdogani për të dhënë mesazhin se Kosova është nën hijen e Turqisë.

Ai tutje ka thënë se tempujt e mëdhenj fetarë më shumë ndërtohen për të dhënë mesazhe politike e dëshmi të pushtetit mbi një vend, se sa për t’u shërbyer nevojave të besimtarëve të thjeshtë.

Ai gjithashtu ka përmendur kishën ortodokse serbe m’u në mes të Prishtinës, të ngritur nga Milloshevici për të dhënë mesazhin se Kosova është Serbi.

Postimi i plotë:

Kushdo që ka pak njohuri nga historia e civilizimeve e di se tempujt e mëdhenj fetarë më shumë ndërtohen për të dhënë mesazhe politike e dëshmi të pushtetit mbi një vend, se sa për t’u shërbyer nevojave të besimtarëve të thjeshtë. Që nga tempujt e Karnakut në Egjiptin e Lashtë e deri me sot kështu ka qenë. Nga ky rregull nuk bën përjashtim as historia jonë. Nuk bën përjashtim as kjo historia e tempujve në qendër të Prishtinës. Milosheviqi e ngriti kishën ortodokse serbe m’u në mes të Prishtinës për të dhënë mesazhin se Kosova është Serbi. Pas luftës, Ibrahim Rugova e ngriti katedralën katolike për t’i thënë botës së Kosova është pjesë e Civilizimit Perëndimor. Sot, Erdogani po e ndërton xhaminë e re në Prishtinë për të dhënë mesazhin se Kosova është nën hijen e Turqisë. Kjo është e gjitha.Të tjerat janë rrëfime të kota.

Të ngjashme