Lavdërohet puna e MZHR-së, u dha hapësirë pakicave dhe hapi mbi 600 vende pune

Prishtinë | 19 Dhj 2018 | 16:15 | Nga Nexhmie Hyseni Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministria e Zhvillimit Rajonal (MZHR) ka mbajtur konferencën e fundvitit, ku u bë  prezantimi i të  arriturave të  kësaj ministrie gjatë vitit 2018-të.

Ministri i Zhvillimit Rajonal, Rasim Demiri ka thënë se kjo ministri është shembull për të gjitha ministritë ngase siç tha ai pakicat asnjëherë s’kanë qenë më prezente në politikë, raporton Ekonomia Online.

“Kjo ministri është shembull për të gjitha ministritë, për të gjitha komunitete pakicë, kemi lejuar të përfshihen komunitet pakicë , pakicat asnjëherë  s’kanë qenë më prezentë në politikë. Përmes programit kemi realizuar më shumë se 600 vende pune me buxhet mjaftë të vogël ndërsa vitin e ardhshëm shpresoj të kemi një buxhet më të madh”, tha Demiri.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj falënderoi Ministrinë e Zhvillimit Rajonal dhe ministrin Demiri për punët dhe projektet e suksesshme që janë me rëndësi për qytetarët, rajonet, ashtu sikur edhe është menduar zhvillimi rajonal.

Duke falënderuar të gjithë ministrat për përkrahjen që i kanë dhënë kësaj Ministrie me ndarjen e buxhetit, kryeministri Haradinaj tha se ka punuar shumë që të krijohet një besim ndërmjet vete, e veçanërisht nuk ka lejuar që çështjet politike të dëmtojnë marrëdhëniet me komunitetet.

“Komunitetet i kemi pasuri nacionale, janë tonët, do t’i respektojmë, dhe ju siguroj se kështu do të vazhdojmë edhe më tutje. Në çdo rrethanë, ne asnjëherë, vështirësitë tona nuk do t’i kthejmë në negativitet kah komunitetet, por do të jemi çdo herë bashkë, në një jetë përpara”, tha kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj foli edhe për taksën dhe marrëdhëniet me Bosnjë e Hercegovinën, duke thënë se bashkëndjenë me Bosnjën, sepse është një vend që meriton respektin dhe partneritetin tonë.

“Dëshirojmë që përmes veprimit që kemi ndërmarrë që Serbia të na njohë. Ata kanë nevojë për tregun tonë, ne për njohje, dhe po ashtu dëshirojmë t’ia lehtësojmë edhe Bosnjës që nesër të marrë një vendim për njohje për Kosovën, sepse ne nuk kemi tema të hapura me Bosnjën dhe nuk dëshirojmë t’i lëndojmë me këtë vendim”, tha kryeministri Haradinaj, duke theksuar se ky vendim nuk është marrë për të lënduar marrëdhëniet ndërmjet popujve e vendeve, por një veprim i caktuar, për një situatë të caktuar, që ka të bëjë me marrjen e njohjeve nga këto dy vendeve, ngase është interes i yni.

Fatos Qerimi, sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal, ka folur për rezultatet e kësaj ministrie për vitin 2018-të.

Ai ka thënë se MZHR-ja ka përcaktuar objektivat për 4 vitet e ardhme 2017- 21.

Në fund MZHR-ja i ndau mirënjohje drejtorit të Departamentit për analiza socio-ekonomike rajonale.

 

Të ngjashme