LDK-ja kritikon Qeverinë për moskrijimin e kushteve për shkollim dhe punësim për të rinjtë

Prishtinë | 10 Dhj 2018 | 11:22 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Forumi i Rinisë së LDK-së ka mbajtur konferencë me temën “(Pa)siguria sociale dhe ekonomike e të rinjve në Kosovë”, në të cilin është diskutuar për sfidat e të rinjve në arsim dhe treg të punës.

Fidan Rekaliu, kryetar i Forumit të Rinisë së LDK-së, ka përmendur rezolutën e LDK-së të dërguar në kuvend për gjendjen e të rinjve të Kosovës për dëshirën e tyre për të dalë jashtë vendit, mirëpo sipas tij kjo është lënë pas dore nga Qeveria e Kosovës, raporton Ekonomia Online.

“Qeveria nuk e ka marrë seriozisht këtë edhe pse ata vetë flasin për politika mbështetëse, afirmative për rininë. Nuk jemi të kënaqur me shkallën e zbatimit të rezolutës edhe në të ardhmen do bëjmë presion që të zbatohet. Sot jemi në gjendje të zhgënjimit që ekziston tek të rinjtë dhe ne do mundohemi të mobilizojmë nevojën e të rinjve dhe besojmë se mund të ketë ngritje sociale dhe ekonomike”, tha ai.

Agim Veliu, nënkryetar i LDK-së, u është drejtuar të rinjve me disa pyetje mbi rolin e tyre në shoqëri, teksa ka fajësuar Qeverinë për mos krijimin e kushteve për të rinjtë që të studiojnë dhe punojnë në Kosovë.

“Nuk po pyes cili është kontributi juaj sepse do nënkuptonte se ju patjetër do duhej të jepnit një kontribut për shoqërinë. Përgjegjësia kryesore që keni në jetë është në radhë të parë vetja juaj prandaj duhet ta pyesni veten çfarë do bëni me jetën tuaj në kuptim të shkollimit, karrierës, familjes etj”, tha Veliu, raporton EO.

Ai tha se Qeveria po krijon vende pune në institucione vetëm për militantë e vet dhe jo për të rinjtë.

“E kuptoj që rinia sot përballet me shumë sfida. Me një sistem jo konkurrentë, me rajon e Evropë dhe shëndetësi jo cilësore. Është vend ky ku institucionet shtetërore shihen si vende të vetme pune dhe qeveria që po krijon vende pune vetëm për militantët e vet, e që një pjesë të madhe të buxhetit e ndanë për skema sociale duke zhvatë paranë publike për të blerë qetësinë sociale”, tha ai.

Sipas tij, gjërat do të përmirësohen nëse punojnë bashkë.

“Institucionet drejtuese kanë përgjegjësi për gjendjen aktuale të vendit. Nuk e kam ndërmend t’iu them se gjithçka është në rregull, do përmirësohen dhe se Kosova po ecë sigurt drejt zhvillimit, po iu them me siguri të plotë se gjërat do përmirësohen nëse bashkë punojmë për të. Nuk është e domosdoshme të merreni me politikë, por forumi i LDK-së është një prej organizatave më të hershme ku rinia është mbledhur edhe për edukim politik e angazhim publik”

Arban Abrashi, deputet i LDK-së, tha se shqetësuese është numri prej 103 mijë të të rinj nuk e ndjekin farë shkollimin, punësimin dhe nuk kanë marrë pjesë në asnjë trajnim.

“Sipas statistikave të fundit rreth 103 mijë të rinj nuk e ndjekin farë shkollimin, punësimin dhe nuk kanë marrë pjesë në asnjë trajnim. Pra, këta janë të shkëputur dhe kjo është shqetësuese për Kosovën. Është fakt dhe qeveria nuk merret aspak me këtë problem. Fokusi më i madh mbetet te punësimi si përjashtim social. Çka duhet me bë ne, të fokusohemi në sa më shumë programe për të rinjtë ku ata të ndihen si pronarë të atyre veprimeve dhe të shoqërisë”, tha ai.

Ai kritikoi Qeverinë e cila sipas tij, nuk po bën asgjë për të rinjtë dhe si pasojë e kësaj ata perspektivën e shohin jashtë vendit.

“Arsimi duhet të jetë tërë jetësor dhe nuk ka siguri me një shkollë që e bën dikush. Unë vetë kam studiuar në Integrime Evropiane por ajo çka kam mësuar atëherë për BE, sot nuk vlen aspak. Mësimi tërë jetësor është parakusht i çdo të riu. Çka po bën qeveria në Kosovë, bash kurgjo hiç,  kemi një qeveri të ngulfatur në popullizëm dhe nuk e prekin të riun e Kosovës, që fatkeqësisht që perspektivën e sheh jashtë vendit”, tha Abrashi.

Të ngjashme