Legalizimi i objekteve pa leje s’mund të përmbyllet deri në shtator

Prishtinë | 09 Pri 2021 | 16:47 | Nga Ekonomia Online

Procesi i legalizimit të objekteve pa leje nuk pritet të përmbyllet deri më 4 shtator të këtij viti kur i përfundon afati kohor Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje. Ky ligj që është miratuar në vitin 2018 ka për qëllim trajtimin e rreth 350 mijë objekteve pa leje në nivel vendi. Afati i tij ishte dyvjeçar me mundësi vazhdimi edhe dy herë nga një vit. Vitin e kaluar Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit kishte marrë vendim për t’ia zgjatur “jetën” këtij ligji edhe për një vit, deri më 4 shtator 2021. Megjithatë, zyrtarët e tri komunave të rajonit të Prishtinës (Podujevë, Fushë-Kosovë dhe Obiliq) thonë se ky afat do të jetë i pamjaftueshëm për ta përmbyllur këtë proces.

Zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Fatri Zhitia, thotë se numri i objekteve të ndërtuara pa leje në këtë komunë sipas regjistrit të aplikimeve për legalizim të objekteve nga vitet paraprake është 4766.

“Komuna e Podujevës ka filluar pranimin e aplikimeve për legalizimin e objekteve pa leje nga muaji shkurt 2020. Si rezultat i pandemisë dhe ndodhive tjera që kanë shoqëruar komunën tonë gjatë vitit 2020, nuk kemi pasur interesim të kënaqshëm për t’i legalizuar objektet. Si i tillë, procesi me një numër jo të madh të aplikimeve nuk ka pasur vështirësi”, ka theksuar Fatri Zhitia.

Sipas tij, që prej hyrjes në fuqi të ligjit të ri, i kanë pranuar 75 aplikime.

“Trajtimi i kërkesave fillon menjëherë pasi numri është i vogël. Rreth 35 prej tyre janë mbyllur, kurse të tjerat janë në proces. Pandemia Covid-19 ka pasur efekt mjaft të madh në procesin e legalizimit. Fillimisht, njoftimet, takimet me qytetarët si dhe organizimet e ndryshme me qëllim të informimit të qytetarëve për procesin e Legalizimit (rëndësinë dhe procedurat e tij) kanë qenë të kufizuara”, ka theksuar zëdhënësi i Komunës së Podujevës. “Pastaj, sfidat që qytetarët kanë pasur gjatë vitit të fundit (pra, përballja me Covid-19) ka bërë që mos të shihet si proces me rëndësi. Rreth 10 prej tyre janë legalizuar, kryesisht shtëpi banimi, por edhe objekte afariste. Vlen të ceket se shumica prej kërkesave janë pjesë e Listës së Pritjes. Nuk mund të mbyllet procesi i legalizimit deri në shtator të këtij viti, kjo krejt si rezultat i aplikimeve të pakta. Konsiderojmë që vazhdimi i afatit ka mundësi që të sjellë rezultate më të mira”.

Përmbyllje të procesit të legalizimit të objekteve pa leje deri në shtator nuk pret as zëdhënësi i Komunës së Fushë-Kosovës, Ali Topalli. Sipas tij, në Komunën e Fushë-Kosovës janë gjithsej 7442 objekte pa leje (prej viteve të ’50-ta). Duke folur për numrin e aplikimeve, ai e ka vlerësuar si jo të kënaqshëm këtë proces. Edhe Topalli thotë se pandemia COVID-19 e ka penguar këtë proces.

“Në Komunën e Fushë-Kosovës janë gjithsej 151 kërkesa për legalizimin e objekteve. Te gjitha janë të trajtuara (duke përfshira njoftimet për plotësim të lëndës). Deri tash 119 janë pajisur me certifikata për legalizim: 87 janë objekte të kategorisë së I dhe 32 janë objekte të kategorisë së II. Duke pasur parasysh numrin e vogël të aplikimeve, ne si komunë deri në shtator do t’i përfundojmë trajtimin e çdo kërkese, mirëpo si proces nuk mund të përmbyllet”, ka thënë ai.

Ndërkohë, zyrtarja për marrëdhënie me publikun në Komunën e Obiliqit, Arba Mirena, ka thënë se deri tash i kanë pasur 71 kërkesa për legalizim.

“Në bazë të regjistrit shtetëror të regjistruara në sistemin online të kërkesave për t’u pajisur me certifikate të legalizimit janë gjithsej 3543 kërkesa. Me mjaft vështirësi është duke ecur procesi i legalizimit të objekteve! Prej se ka hyrë ligji në fuqi kemi gjithsej 71 kërkesa, prej tyre janë trajtuar gjithsej 33 kërkesa”, ka theksuar Mirena.

Edhe ajo thotë se pandemia ka ndikuar shumë në këtë proces. Nga kërkesat e pranuara, Mirena thotë se i kanë pajisur me certifikatë të legalizimit 26 persona, që kryesisht bëhet fjalë për objekte të kategorisë së parë.

“Jo assesi nuk është e mundur që procesi i legalizimit të përmbyllet deri në muajin shtator, duke parë rrjedhën e situatës pandemike!”, ka deklaruar ajo.

KOHA ka kërkuar përgjigje edhe nga zyrtarët e Komunës së Graçanicës që prej datës 2 prill, por ata kanë heshtur.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme