Lekaj vizitoi Autoritetin e Aviacionit Civil të Kosovës

Prishtinë | 23 Maj 2018 | 13:55 | Nga

Sot, ministri i Infrastrukturës  Pal Lekaj me bashkëpunëtorë, vizitoi Autoritetin e Aviacionit Civil të Kosovës (AACK), me ç’rast u takua me Drejtorin e përgjithshëm të AACK-së, Driton Gjonbalaj dhe stafin e AACK-së, me të cilët biseduan për të arriturat e kësaj agjencie, si dhe mundësitë e thellimit të bashkëpunimit mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe AACK-së, në shërbim të funksionimit të harmonizuar mes ministrisë, si përgjegjëse për rregullimin ekonomik të aviacionit civil dhe agjencisë, si përgjëgjëse për sigurinë ajrore dhe fizike të aviacionit civil në vend.

Ministri Lekaj duke e përgëzuar Gjonbalajn dhe stafin e AACK-së, tha se kjo agjenci duhet të avancoi në ofrimin e shërbimeve dhe marrjen e përgjegjësive shtesë që i takojnë në fushën e aviacionit civil, si dhe në avancimin e resurseve profesionale, në mënyrë që edhe aty ku ka sfida, të tejkalohen me profesionalizëm dhe në shërbim të qytetarëve dhe të vendit tonë. Lekaj ka treguar gatishmërinë e ministrisë që drejton, për përkrahje të parezervë kurdo që është e nevojshme dhe kurdo që kërkohet një gjë e tillë.

Ndërsa nikoqiri i këtij takimi, Drejtori i përgjithshëm i AACK-së, Driton Gjonbalaj, duke e falënderuar ministrin Lekaj për gatishmërinë e treguar për bashkëpunim të hapur dhe në funksion të harmonizimit të veprimeve mes dy autoriteteve, ka shprehur gatishmërinë e institucionit që drejton, për thellim të bashkëpunimit dhe veprimeve për anëtarësim të AACK-së në organizatat ndërkombëtare të aviacionit civil, si ai i ICAO-s, duke kërkuar edhe përkrahjen e ministrit Lekaj.

Drejtori Gjonbalaj me anë të një prezantimi e ka njoftuar ministrin Lekaj dhe bashkëpunëtorët e tij, rreth detyrave dhe përgjegjësive të agjencisë, e po ashtu edhe rreth objektivave që synohen të arrihen. Gjonbalaj e ka njoftuar Lekajn edhe për marrëveshjet e arritura mes tyre dhe agjencive simotra, si dhe për marrëveshjet që synohen të arrihen në të ardhmen, e që kanë ndikim pozitiv për vendin dhe qytetarët e Kosovës.

Në këtë takim u bisedua edhe për normalizimin e hapësirës ajrore, si një proces ku ka ndërhyrje politike nga fqinji ynë verior, por u tha se ky proces nuk do të ndalet deri në normalizimin e plotë të hapësirës ajrore të Kosovës, sepse ka rëndësi për shtetin dhe qytetarët e vendit, si në aspektin strategjik, ashtu edhe në atë ekonomik.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme