Letra skandaloze e motivimit që e shkroi pretendenti për komisioner

Prishtinë | 16 Qer 2021 | 20:57 | Nga Ekonomia Online

Komisioni për Siguri vlerësoi Enver Bujarin si kandidat potencial për t’u zgjedhur komisioner në Agjencinë për Informim dhe Privatësi. Më parë, britanikët e kishin diskualifikuar Bujarin, por kjo nuk i ndaloi anëtarët e VV’së që ta vlerësojnë maksimalisht atë. Para se të votohet nga Kuvendi, ndaj Bujarit reagoi edhe shoqëria civile. E aplikacionin e tij, Bujari e kishte mbushur me gabime të nivelit skandaloz.

Njeriu që synon pozitën më të rëndësishme në Kosovë në mbrojtjen e të dhënave personale dhe garantimin e qasjes në dokumente publike, nuk e di se çka është teknokrati apo teknokracia, shkruan Express.

Në letrën e tij motivuese, aty ku supozohet të shkruhet për ambicie, përvojë e personalitet, Bujari zgjodhi të thotë se përvoja e punës e ka bërë “teknokrat”, ndërkohë që po fliste për aftësi teknike.

Është gjithashtu e qartë se kandidati kryesor për komisioner në Agjencinë për Informim dhe Privatësi nuk e ka haberin se ku saktësisht duhet vendosur shkronja “ë”.

Bujari aktualisht po tenton të bëhet komisioner në kundërshtim me ligjin dhe konkursin. Shoqëria civile ka treguar se Bujari nuk ka ofruar dokumentin që dëshmon mbi përvojën e punës, siç kërkohet me konkurs. Ky kandidat ka bashkëngjitur vetëm raportin e Trustit Pensional.

E dihet se raporti i Trustit Pensional nuk e dëshmon përvojën e punës, siç kërkohet të ketë së paku tetë vjet përvojë pune profesionale, pesë nga të cilat duhet të jenë me pozita udhëheqëse.

Komisioneri për Informim dhe Privatësi do të jetë personi më i rëndësishëm në Kosovë në mbrojtjen e të dhënave personale dhe garantimin e qasjes në dokumente publike.

Kujtojmë se deputetët e VV’së i dhanë pikë pa meritë Enver Bujarit, ndërsa britanikët më parë as nuk e kalonin.

“Tutje, gjatë intervistimit paneli nuk ka përfillur metodologjinë e krijuar nga ekspertët britanikë, dhe e cila ishte pranuar nga Kuvendi për të siguruar meritokraci, integritet dhe legjitimitet të proceseve të përzgjedhjes. Pyetjet janë përpiluar pa praninë e monitorueseve nga shoqëria civile, për dallim nga proceset e kaluara kur ne jemi ftuar të jemi pjesë e tërë procesit. Po ashtu, herët e kaluara deputetët kanë bërë vlerësimin në mënyre transparente, duke bërë të ditur pikët e vlerësimit pas secilit intervistim dhe duke ofruar arsyetim për vlerësimin e bërë. Kësaj herë, deputetët kanë vlerësuar kandidatët në mënyrë anonime duke mos dhënë arsyetim për pikët e dhëna. Kujtojmë që kandidati i vlerësuar më së larti nga Komisioni kësaj radhe ka kandiduar edhe në të gjitha proceset e kaluara, mirëpo ekspertet britanikë të cilët e kishin ndihmuar procesin e rekrutimit në vitin 2019 dhe në 2020 nuk e kishin vlerësuar me poena kaluese dhe nuk e kishin rekomanduar atë për pozitën e Komisionerit/es për Informim dhe Privatësi”, thuhet ndër të tjera në reagimin e shoqërisë civile.

Të ngjashme