Let’s Do It kanë pastruar Lumin Krena në Gjakovë

Gjakovë | 20 Mar 2019 | 19:41 | Nga Ekonomia Online

Vullnetarët e Let’s Do It Kosova sot i janë bashkuar aksionit të pastrimit në Lumin Krena të Komunës e Gjakovës.

Aktiviteti i sotëm është realizuar në kuadër të Fushatës “Gara për Gjakovë të Pastër”, e cila ka filluar sot dhe do të vazhdojë deri më 15 qershor.

Ky aktivitet fton në garë për ambient të pastër të gjitha lagjet, fshatrat e shkollat e Komunës së Gjakovës. Gjatë kohës sa është e paraparë të zgjat kjo fushatë, Let’s Do It do të ofrojë ndihmë për organizimin e aksioneve të pastrimit në Gjakovë.

Qëllimi i kësaj fushate është të futen në garë bashkësitë lokale dhe shkollat e Komunës së Gjakovës, ku në fund do të përzgjidhen fituesit për tri vendet e para.

Lagjja më e mirë do të shpërblehet me investime në vlerë 10,000.00 euro, lagjja me vendin e dytë do të shpërblehet me 6,000.00 euro dhe lagjja e tretë me 4, 000.00 euro investime. Shpërblimet për shkollat me ambientin më të pastër do të jenë këto: vendi i parë 5,000.00 euro, vendi i dytë 3,000.00 euro dhe vendi i tretë 2,000.00 euro. Përvec pastrimit të Lumit Krena, sot ka filluar edhe pastrimi i ambienteve të shkollës “Emin Duraku”, ngjyrosja e muralit në lumin “Krena” si dhe janë shpërndarë kontejnerë të përbashkët për banesat kolektive.

Të ngjashme