“Let’s Do It Kosova” pastron Drinin e Bardhë

Prishtinë | 05 Qer 2019 | 17:50 | Nga Halide Rexhepi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në vazhdën e aktivitete për shënimin e 5 Qershorit – Ditës Botërore të Mjedisit, “Let’s Do It Kosova” në bashkëpunim me Lëvizjen Globale “River Cleanup”,  ka organizuar aksion pastrimi në Ujëvarën e Drinit të Bardhë në Radavc, raporton EkonomiaOnline.

Drejtori i organizatës “Let’s Do It”, Luan Hasanaj tha se ndër objektivat e tyre është edhe pastrimi i lumenjve dhe ky aktivitet i sotit i shërben po të njëjtit qëllim.

Pas aksionit ku morën pjesë shumë aktivisitë dhe dashamirë të mjedisit, Hasanaj bëri apel tek banorët e kësaj ane që të shtojnë kujdesin e tyre karshi mjedisit, sidomos lumenjve që janë bukuri dhe atraksion për mijëra turistë.

“E shohim lumin Drin që fatkeqësisht është në një gjendje jo të mirë qytetarët e pandërgjegjshëm e kanë ndotë dhe këto bururi të rralla të cilat i ka kjo anë janë shëmtuar nga qytetarë të pandërgjegjshëm. Nga këtë dua t’ju bëjë thirrje të gjithë banorëve të kësaj ane që mos ta ndotin këtë lum, sepse prej këtij lumi ujitet toka e të gjithë banorëve këtu prej të cilëve ne ushqehemi. Nëse lumin e kemi të ndotur nënkupton që edhe tokën e kemi të ndotur, do të ndoten edhe produktet të cilat i marrim nga toka. Pra duke pasur ujin e ndotur ne e dëmtojmë shëndetin tonë”, tha Hasanaj.

Tomas De Groote, drejtor i organizatës “River Cleanup”, mbeti i çuditur me atë cfarë pa në këtë lum. Por edhe i habitur me punën e vullnetarëve që morën pjesë në këtë aksion pastrimi.

“Jam shumë i lumtur të jem këtu me Luanin dhe ekipin e Let’s Do It’. Është e çuditshme të shohim kaq shumë mbeturina të mbledhura me kaq shumë vite, gjithashtu është e mrekullueshme të shohim kaq shumë vullnetarë që kanë ardhur këtu të pastrojnë lumin.

Ai tha se organizata që ai drejton ka për synim pastrimin e 10 lumenjve.

“Me organizatën “River Cleanup” kemi ambicie të organizojmë pastrimin e lumenjve në gjithë Evropën. Këtë vit kemi 10 lumenj për të pastruar ky është i dyti, para disa javëve e kemi pastruar lumin Volda, është e rëndësishme të them ka me qindra njerëz që po marrin pjesë dhe është e mrekullueshme ta bëjmë këtë me ekipin”

Për këtë aksion pastrimi aktivistët e “Let’s Do It Kosova”  morën lëvdata dhe falënderime nga banorët lokalë.

Shaban Ramaj, kryetar i bashkësisë lokale në fshatin Radavc tha se tani e tutje do të kenë një kujdes të shtuar, teksa kritikoi edhe organet komunale, të cilat sipas tyre e kanë detyrë të bëjnë pastrimin dhe mirëmbajtjen e lumenjve.

“Ne si qytetarë si lokalitet duhet të jemi ma të kujdesshëm, dhe besoj që bashkë me juve e kemi bë një punë të mirë dhe vazhdojmë prapë të organizohemi me organizatën ‘Ta pastrojmë Kosovën’. Meqenëse kjo është punë që duhet ta bëjë Komuna”, tha ai.

Ky aksion u organizua në kuadër të shënimit të Ditës së Mjedisit.

Në këtë aksion pastrimi morën pjesë edhe nxënësit e shkollës “Lidhja e Pejës” dhe “Hil Mosi” ku ndihmuan në pastrimin e këtij lokaliteti.

 Po ashtu Luan Hasanaj nga “Let’s Do It” përmes një ligjërate të shkurtër u tregoi nxënësve se sa e rëndësishme është ruajtja e mjedisit.

Të ngjashme