“Let’s Do It Kosova”, përgatitet për shënimin e “Ditës së Pastrimit të Botës”

Prishtinë | 21 Gus 2019 | 17:27 | Nga Ekonomia Online

Kanë mbetur edhe 30 ditë nga 21 Shtatori që shënon mobilizim më të madh qytetar në gjithë botën në luftën kundër ndotjes që shkaktojnë mbeturinat – Ditën e Pastrimit të Botës [World Cleanup Day].  

Ka muaj që ekipi i “Let’s Do It Kosova” ka filluar përgatitjet për organizimin dhe koordinimin e 157 shteteve të ndryshme të botës në Ditën e Pastrimit të Botës, kjo pasi, shteti i Kosovës është përzgjedhur nga “Let’s Do It World” si përgjegjës për Fushatën e këtij eventi. Përveç këtij viti, Kosova do ta koordinojë Ditën e Pastrimit të Botës edhe në vitin 2020.

Kështu, 21 shtatori do ta vendosë Kosovën në hartën e vendeve që prioritet e kanë mbrojtjen e mjedisit. Kjo, po ashtu, është një mundësi jashtëzakonisht e mirë që përmes Fushatës për Ditën e Pastrimit të Botës, me materiale të shumta, të promovohen vlerat dhe pasuritë e Kosovës si shtet në arenën ndërkombëtare.

Përmes kësaj videoje sensibilizuese, e cila do të transmetohet te më shumë se 150 shtete të botës bëhet thirrje për mbrojtje të mjedisit dhe angazhim më i madh në çështje mjedisore. Lumenjtë, liqenet, malet, fushat e çdo pasuri natyrore e vendit tonë është magjepëse, nëse nuk është e ndotur, ashtu siç shihet në video.

Kjo video është në mesin e videove të shumta që ka realizuar ekipi ynë dhe po vazhdon të realizojë në kuadër të Fushatës për Ditën e Pastrimit të Botës. Kjo Fushatë kishte filluar me një video promovuese, pjesë e së cilës ishte bërë edhe alpinistja nga Kosova me famë botërore, Uta Ibrahimi, e cila u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe më gjerë që t’i bashkohen Ditës së Pastrimit të Botës. Përmes kësaj videoje, e cila u lanësua në më shumë se 150 shtete të ndryshme, u shfaqën disa nga vlerat më të mira natyrore të shtetit të Kosovës, të cilat falë kësaj fushate do të promovohen në gjithë botën.

Videoja e radhës ishte për Fushatën e hartëzimit të deponive ilegale të mbeturinave, me një skenë të famshme të filmit “Taken”, të aktorit të njohur botëror Liam Neeson.

E më 21 Shtator, për 24 orë, ekipi ynë do të përkujdeset që përmes transmetimit live në televizion dhe rrjete sociale, t’iu mbajë të informuar me aktivitetet e secilit prej shteteve, pjesë e Lëvizjes Globale “Let’s Do It World”.

Përmes kësaj komunikate ne ju bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të bashkohen me ne më 21 Shtator në Ditën e Pastrimit të Botës, si dhe të jeni sa më të kujdesshëm dhe miqësor me mjedisin në vendin tonë.

Të ngjashme