“Let’s Do It” vendos shporta për mbeturina në Dobërçan, MMPH-ja premton investim 550 mijë eurosh

Dobërçan, Gjilan | 22 Pri 2019 | 16:16 | Nga Norë Kelmendi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Organizata “Let’s Do It Kosova” ka vendosur tri shporta për mbeturina në fshatin Dobërçan të Komunës së Gjilanit, raporton Ekonomia Online.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, premtoi një investim prej 550 mijë eurosh në fshatin Dobërçan, ku do rregullohet rrjeti kryesor dhe dytësor të kanalizimit.

“Rëndësia e ditës e së tokës dhe planetit tonë mund të kuptohet drejtë në rast që përveç aksioneve të pastrimit e vendeve të degraduara nga mbeturinat vizitojmë vende që ditën e tokës e kanë për çdo ditë, një rast i tillë është edhe në fshatin Dobërçan një nga fshatrat më të mirëmbajtura në Kosovë, me ç’rast sot në ditën e tokës jemi këtu për ti përgëzuar banorët e Dobërçanit për vullnetin dhe angazhimin e tyre për një mjedis të pastër, në bazë të kësaj edhe Ministria e Mjedisit në kuadër të politikave të saja sic e kam thënë edhe më herët synon që ti mbështesë lokalitetet të cilat kujdesen për ambientin në të cilin jetojnë, sot e rikonfirmojmë këtu qe do e fillojmë një investim prej 550 mijë eurove në fshatin Dobërçan për rregullimin e rrjetit kryesor dhe dytësor të kanalizimit dhe në rregullimin e shtratit të lumit që kalon përmes këtij fshati, kjo është meritë e qytetarëve të Dobërcanit”, u shpreh Matoshi, raporton EO.

Ky fshat ishte pastruar nga banorët e Doberçanit dhe për këtë, drejtori Ekzekutiv i “Let’s Do It Kosova”, Luan Hasanaj, tha se pastërtia e këtij fshati është meritë komplete e banorëve. Ai i ka ftuar banorët të vazhdojnë me aktivizim të tillë.

“Në këtë rrugëtim të sotëm që e filluam shumë herët në Prishtinë po e përmbyllim në një fshat i cili duhet të jetë model për të gjitha lokacionet në Kosovë pra këtu gjithçka mundemi të gjejnë por vetëm bërllok jo, kjo është meritë komplete e banorëve të fshatit dhe do doja që këtu të marrin inspirim shumë e shumë fshatra të ndotura të vendit tonë. Ne simbolikisht sot këtu po i sjellim edhe 3 shporta qe të jemi prezent edhe ne në gjithë këtë situatë të mirë dhe ti inkurajojmë banorët që të vazhdojnë me këtë aktivizim”, u shpreh Hasanaj.

Një falënderim për “Let’s Do It Kosova” dhe Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor patën edhe banorët e fshatit, duke i falënderuar ata për vizitën dhe donacionet e tyre aty.

Këto aktivitete u bënë në kuadër të shënimit të Ditës së Tokës.

Të ngjashme