Liberalizimi i pjesshëm i tregut, zgjidhja e çmimit të sigurimit për vetura

Prishtinë | 30 Nën 2020 | 14:56 | Nga Ekonomia Online

Sot, Instituti GAP organizoi një diskutim virtual mbi temën: “Rritja e çmimit të sigurimit të veturave”. Në tetor të vitit të kaluar, Banka Qendrore e Kosovës mori vendim që tarifat për automjete për pasagjerë të rriten për 26%.

BQK-ja ka ngritur tarifat në përputhje me shkallën e inflacionit gjatë periudhës 2002-2018, edhe pse FMN përmend se tarifat janë̈ rishikuar në vitin 2011. Berat Thaqi, Analist i Politikave në Institutin GAP, theksoi se në rritjen e tarifave BQK nuk e ka respektuar rregulloren e brendshme dhe faktorët që përmenden nga FMN.

Ky vendim dhe raporti aktuarial nuk ka qenë të qasshëm për publikun.

Hekuran Murati, deputet i Kuvendit të Kosovës, theksoi se çmimi për sigurimin e veturave do të mund të ishte më i lirë nëse BQK-ja do të vepronte me kohë duke i larguar kompanitë e nënkapitalizuara. Mbikqyrja e tregut ka qenë e dobët por gjithashtu edhe gjykatat kanë vepruar ngadal. Ai shtoi se për të nisur një hetim të vendimit të BQK-së për rritjen e tarifave nga ana e Kuvendit të Kosovës, duhet vullneti politik i shumicës së grupeve parlamentare, i cili në këtë rast mungon. 

Valon Prestreshi, Kryetar i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës tha se BQK-ja fillimisht nuk ka ofruar dokumentet e nevojshme edhe për AKK-në dhe se ato i janë ofruar pasi AKK-ja  ka insisituar në të drejtën e saj ligjore për të pasur qasje në informacion. Sa i përket vendimit të lartëpërmendur, ai shtoi se ky vendim i BQK-së ka qenë në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës.

Valon Mehmeti, nga iniciativa qytetare “Merakli të Kerreve”, tregoi se BQK-ja i ka pranuar kërkesat e tyre, mirëpo e ka konsideruar të pamundur uljen e çmimit për sigurim të veturave. Ky grup ka kërkuar rritjen e informimit qytetar në rastet kur ndryshohen politikat e sigurimeve.

Të gjithë panelistët u dakorduan se zgjidhje mund të jetë liberalizimi i pjesërishëm i tregut, mirëpo për ta vënë në funksion këtë nevojitet bashkëpunim më i mirë mes Bankës Qendrore të Kosovës, Autoriteti Kosovar të Konkurrencës dhe gjyqësorit.

Në muajin mars Instituti GAP kishte publikuar një raport mbi shtrejtimin e sigurimit të veturave dhe mostransparencën e këtij vendimi të BQK-së.

Ky diskutim është pjesë e projektit “Angazhimi qytetar” që mbështetet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe implementohet nga Kosovo 2.0 në bashkëpunim me Institutin GAP.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme