Ligji për mbrojtjen e të dhënave personale s’i trajton të vdekurit, publikimi i emrave nga familjarët i ligjshëm

Prishtinë | 25 Kor 2020 | 07:59 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ligji i ri për mbrojtjen e të dhënave personale nuk e trajton përpunimin e të dhënave të të vdekurve, ligj i cili ka hyrë në fuqi në mars të vitit 2019.

Përpunimi i të dhënave personale të të vdekurve është rregulluar duke e kërkuar pëlqimin paraprak të trashëgimtarëve, pra të familjarëve të një të vdekuri.

Jeton Arifi, Drejtor në Agjencinë për Informim dhe Privatësi, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se që nga viti i kaluar përpunimi i të dhënave personale të të vdekurve nuk është parë e arsyeshme të trajtohet në kuadër të këtij ligji për mbrojtjen e të dhënave.

Mes tjerash, Arifi shtoi se publikimi i të dhënave nga Coronavirusi po bëhet kryesisht nga vetë familjarët në formë njoftimi dhe ky format mund të konsiderohet si i ligjshëm.

“Nga viti i kaluar që kur kemi transpozuar rregulloren e mbrojtjes së të dhënave personale të BE-së në Ligjin e ri për mbrojtjen e të dhënave, përpunimi i të dhënave personale të të vdekurve nuk është parë e arsyeshme të trajtohet në kuadër të këtij ligji”.

Ai tha se nuk kanë pasur ndonjë kërkesë apo ankesë nëse kanë të drejtë të publikojnë të dhëna të ndjeshme.

“Sistemet e ndërlidhura ndërmjet institucioneve të cilat sipas detyrës zyrtare menaxhojnë pandeminë duhet të shkëmbejnë të dhënat për ta kufizuar numrin e të prekurve me këtë virus. Ne nuk kemi të dhëna për prokurori sepse kemi të bëjmë me institucion tjetër”.

“Ne kemi pasur kërkesa për interpretime nga institucionet që përpunojnë të dhëna të ndjeshme dhe u kemi dhënë këshilla se si t’i përpunojnë këto të dhëna gjatë pandemisë, sepse nuk kemi pasur ndonjë kërkesë apo ankesë nëse kanë të drejtë të publikojnë”, shtoi ai.

Arifi bëri të ditur se nuk kanë ndonjë mandat që të shqiptojnë gjoba ndaj asnjë institucioni që kontrollon dhe publikon të dhënat e të vdekurve.

“Ne nuk kemi ndonjë mandat as që të shqiptojmë ndonjë masë gjobitëse ndaj asnjë institucioni që kontrollon të dhëna të tilla dhe publikon këto të dhëna sepse Ligji i ri për mbrojtjen e të dhënave nuk i trajton fare të dhënat e të vdekurve sepse duke mos qenë të gjallë nuk trajtohen si subjekte të të dhënave”.

Sipas tij, pandemia ka ndikuar në shtimin e kërkesave për këshilla nga vetë institucionet e shtetit. Tutje, ai tha se në agjenci asnjë i punësuar nuk ka rezultuar me Coronavirus, megjithatë  janë duke respektuar masat e Qeverisë në përpikëri.

“Pandemia ka ndikuar në shtimin e kërkesave për këshilla nga vetë institucionet e shtetit. Ne kemi pritur që të pranojmë më shumë ankesa vetë institucionet që përpunojnë të dhëna të ndjeshme të pacientëve të prekur me Coronavirus. Deri sot në agjenci asnjë i punësuar nuk ka rezultuar me Coronavirus, megjithatë  jemi duke respektuar masat e qeverisë”, shtoi ai.

Sipas Arifit, agjencia prej 9 vjetësh ka pasur buxhet dhe personel të kufizuar, raporton EO.

“Agjencia prej 9 vjetësh ka pasur buxhet shumë të kufizuar dhe poashtu edhe personelin e kemi të kufizuar dhe shkaku i zvarritjes së procesit të rekrutimit të komisionerit që është titullar i këtij autoriteti ne nuk kemi mundur të shtojmë buxhetin tonë”, shtoi Arifi.

Të ngjashme