Ligji po shkelet, teatrot jashtë funksionit – aktorët mbesin pa punë

Prishtinë | 27 Shk 2020 | 08:17 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ligji në fuqi për Teatrin, ashtu sikurse shumë ligje të tjera nuk po zbatohet. E si pasojë e mosrespektimit të këtij ligji, nuk po funksionojnë teatrot profesioniste nëpër qytetet e Kosovës.

Regjisori kosovar, Ben Apolloni, në një intervistë për Ekonomia Online, thotë se gjendja e rëndë e aktorëve në Teatrin Kombëtar, po ndikon tek ata profesionalisht, për vetë faktin se po arrijnë përgatitje.

Mirëpo për shkak se teatrot nuk janë funksionale, aktorët nuk po arrijnë të ushtrojnë profesionin e tyre.

Regjisori Apolloni, po kërkon nga qeveria që ta trajtojë më seriozisht Kulturën, sepse  vendi ynë është përfaqësuar në botë vetëm nëpërmjet artit dhe sportit.

‘’Gjendja e aktorëve në teatër është shumë e rëndë, sepse aktorët mbarojnë shkollat përgatiten profesionalisht dhe mandej nuk mund ta ushtrojnë profesionin në teatër sepse teatrot nuk janë funksionalë. Edhe pse me ligj është e rregulluar çdo gjë ligji nuk po respektohet’’, deklaroi Apolloni.

Me tej, Apolloni thotë se në shumicën e teatrove aktorët vazhdimisht ankohen se nuk po marrin rroga nga 6 deri në 8 muaj.

Sipas tij, të gjitha qeveritë deri më tani e kanë shkelur ligjin për teatër, andaj Apolloni kërkon nga qeveria që të reflektojë në këtë drejtim.

‘’Qeveria duhet të kuptojë se aktorët duhet të paguhen dhe tu mundësohet të punojnë, sepse vendi ynë është përfaqësuar në botë vetëm nëpërmjet artit dhe sportit. Dhe herë pas herë do t’i publikojë nenet që janë shkelur. Kam kërkesë që të respektohet ligji sepse kështu mund të shkojë puna mbarë, kushdo që e shkel ligjin është duke i bërë dëm këtij vendi duke filluar nga ministrja e Kulturës deri tek institucionet dhe qeveria’’ shtoi ai.

Apolloni thotë se Ligji për Teatrot thotë se duhet të jenë së paku 30 aktorë, ndërsa janë vetëm 18.

Apolloni ka shkruar se ka edhe teatro të qyteteve që nuk kanë fare ansambël rezident ose të përgjysmuar.

Ai përmendi se secili teatër duhet të ketë Këshillin Drejtues, të ketë Drejtorin e Përgjithshëm dhe Udhëheqësin Artistik.

‘’Tashmë prej se është emëruar ministrja e re, unë herë pas here në rrjetet sociale dhe nëpërmjet mediave t’ia bëjë me dije disa gjëra që deri më tani nuk kanë qenë në rregull ku nuk është respektuar ligji për teatër. Është me rëndësi që asnjë nen i ligjit të mos shkelen sepse qoftë edhe një nen kur shkelet është shkelje ligji. Teatrot në Kosovë nuk kanë ansamble rezidente që ligji i kërkon dhe nuk kanë as udhëheqësit e teatrove që gjithashtu ligji kërkon. Edhe në teatrin ku jemi tani nuk e ka as Drejtorin e Përgjithshëm dhe as Drejtorin Artistik dhe ka mungesa në ansamblin rezident’’ shtoi më tej Apolloni.

Të ngjashme