Likaj falënderon deputetët për miratimin e statuteve të katër universiteteve në Kosovë

Prishtinë | 10 Dhj 2020 | 21:23 | Nga Ekonomia Online

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar statutet e katër universiteteve në Kosovë. Me 61 vota pro të zgjedhurit e popullit miratuan statutin e Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, statutit të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, statutit të Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, dhe statutit të Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan.

Ministri i Arsimit, Ramë Likaj ka thënë se ky votim ka hapur rrugën e sigurimit të pavarësisë së plotë të këtyre Institucioneve të Arsimit të Lartë.

“Falënderoj të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës, kryetaren dhe anëtarët e Komisionit Parlamentar për Arsim, rektorët dhe menaxhmentin e universiteteve, stafin e MASh dhe të gjithë ekspertët e angazhuar në këtë proces.

Ky votim ka hapur rrugën e sigurimit të pavarësisë së plotë të këtyre Institucioneve të Arsimit të Lartë. Qëllimi kryesor është që këto universitete publike të kenë statute të përhershme që i mundësojnë të operojnë si njësi të pavarura buxhetore dhe të përshtasin rregulloret, poashtu vendimmarrja e llogaridhënia të jetë e bazuar në këto statute dhe Ligjin e Arsimit të Lartë”, ka shkruar Likaj në Facebook.

Likaj ka shkruar se “të gjitha këto universitete publike, duhet të punojnë në ngritjen e cilësisë, konkurrueshmërisë, punësueshmërisë dhe ndërkombëtarizimit”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme