Limaj dhe Reçica inkurajojnë qytetarët e Prizrenit të regjistrohen në qendra për aftësim profesional

Prishtinë | 19 Pri 2018 | 16:47 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Takimi i zëvendëskryeministrit Fatmir Limaj dhe ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, me familjet përfituese të Skemës së Ndihmës Sociale vazhdoi edhe në komunën e Prizrenit.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica iu bëri thirrje qytetarëve të Prizrenit që të mos mbesin vetëm me asistencë sociale, por të aftësohen në fusha të ndryshme përmes qendrave të aftësimit sepse nuk është e kënaqshme dhe e mjaftueshme paga sociale që ata marrin, raporton Ekonomia Online.

“Punësimi i qytetarëve të Kosovës nuk është brengë vetëm e juaja, por edhe e jona. Ne po punojmë në këtë drejtim dhe në fillim të këtij viti ne morëm një vendim të rritjes së pagës sociale për 20% që sadopak t’ju ndihmojmë, por kjo prapë nuk është e mjaftueshme”, tha Reçica duke iu drejtuar qytetarëve.

Zëvendëskryeministri Fatmir Limaj tha se në komunën e Prizrenit janë 283 familje që marrin ndihmë sociale dhe që ka njerëz në familje që janë të aftë për punë dhe se ky takim po ndodh për këtë arsye që personat që munden të punojnë të kryejnë zanate të ndryshme të punës dhe të mos presin pagë të gatshme sociale.

“Jemi për të ju thënë që përveç juve që keni halle dhe probleme të përditshme në familje të juaja se si ta përmbyllni muajin me kaq shumë vështirësi dhe që keni halle, ne kemi ardhur të ju tregojmë që ka qeveri dhe drejtori këtu që bëjnë përpjekje përmes veprimeve dhe masave ligjore që të krijohen vende të reja të punës për djem dhe vajza që duan të punojnë dhe së bashku të mobilizohemi për t’iu ofruar mundësi për të drejtën për të punuar”, tha Limaj.

“Ka djem dhe vajza të reja që nuk kanë zanat dhe ne po ju ftojmë sidomos këtu në Prizren, regjistrohuni në qendra për aftësim profesional, shkoni merrni nga një zanat që ka nevojë tregu, shfrytëzojeni këtë mundësi në Prizren që ta gjeni vendin e punës përmes kërkesave dhe ofertave që vijnë nga tregu i punës”, shtoi më tej Limaj.

Nënkryetari i komunës së Prizrenit, Eshref Memaj tha se qëllimi kryesor i këtij takimi është që të jemi sa më afër personave që marrin ndihma sociale dhe t’i avansojmë që të mos krijohen shtresa të margjinalizuara, por më të fuqizuara.

“Ndihma sociala nuk është zgjidhja e problemeve të jetës, por është ndihmë që mundet me ju ndihmu vetëm sa për me i kalu problemet e jetës”, tha Mamaj, raporton EO.

Mamaj shtoi se synimi i komunës është  që të aftësohen qytetarët përmes qendrave të aftësimit dhe të krijojnë marrëdhënie pune për qytetarët.

 

 

Të ngjashme