Limaj fton të rinjtë: Mësoni, merrni zanate e punën ua gjejmë ne

Drenas | 05 Dhj 2018 | 18:40 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, në një takim me të rinjtë e Drenasit dhe Skenderajt, i ka porositur ata që të aftësohen në zanate, pasi ato sjellin vetëpunësim.

“Në këtë botë marre është me rrejt, nuk është marre me punu. Nuk ka gjë më të mirë se me i shërbye vendit. Nëse nuk jeni për profesione të caktime, çohuni merreni nga një zanat. Bashkohuni hajde merreni nga një zanat, ne iu mbështesim. Kemi kudo që iu vjen më afër, pa asnjë cent, shteti iu mbështet, ne iu mbështesim”, tha Limaj, raporton Ekonomia Online.

“Ajo që po kërkojmë nga ju, ju që keni vendosë, provoni me këtë arsim që po iu them unë, ne e kemi detyrë me iu përcjellë me gjete vendin e punës. Nuk e dallon një djalë më të mirë a më të keq, kush kryen shkollë”, tha Limaj.

Kreu i Nismës u bëri thirrje edhe prindërve që të dërgojnë fëmijët e tyre në shkolla profesionale, ndërsa u zotua në emër të Qeverisë se do të ndihmojnë në gjetjen e vendeve të punës.

“Ju kisha lutë prind, çoni djemtë dhe vajzat në shkolla profesionale. Ata që kanë vendosë me marrë drejtime është tjetër gjë. Unë po flas për disa që kanë mbete për rrethana të ndryshme pa kryer shkollë, ende ka kohë.  Ne e marrim përsipër me iu gjete vendin e punës për atë zanat që po e merrni.  Ka shumë që thonë se nuk kemi njerëz profesional për punë, nga ana tjetër kemi papunësi. Kjo situatë duhet të ndryshojë”, shtoi Limaj.

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës, Jakup Krasniqi, u tha të rinjve ta shfrytëzojnë moshën dhe energjitë dhe të jenë solidarë. Në vazhdim, ai foli për parimet e Nismës, të cilat sipas tij, janë: liria, drejtësia, barazia dhe solidariteti.

“Në rend të parë ne flamurin e Nismës është liria, drejtësia, barazia dhe solidariteti. Për të gjitha këto çështje njerëzit në Kosovë kanë nevoja të përditshme. Liria është ajo që nuk fitohet vetëm një herë, por fitohet një here në raport me armikun, por liria mbrohet çdo ditë. Lufta jonë duhet të jetë për liri te përditshme, për liri në konkurrencë, në punë, liri që secilit i duhet dhe secili duhet ta mbrojë. Solidariteti, ne të gjithë dëshirojmë të jemi solidarë. Në saje të solidariteti e kemi fituar lirinë. Koha është që ne të jemi solidarë me njëri tjetrin. Po kërkoj nga të rinjtë se është krejt normale që gjenerata e re të ketë ndjenjën e solidariteti më shukë se çdo moshë tjetër”, tha Krasniqi.

E Albert Maxhuni, kryetar i Rinisë së Nismës në Drenas,  ftoi te gjithë të rinjtë që të bashkohen në nismë për të fuqizuar rolin e tyre në Drenas dhe Skenderaj.

Ndërsa, kryetari i Rinisë së Nismës në Skenderaj, Jehon Kadriu, tha se e përkrahin vendimin për taksën ndaj produkteve serbe, ndërsa shfrytëzoi rastin që të bë thirrje që të përkrahen podhimet vendëse.

Të ngjashme