Limaj takon të rinjtë e Ferizajt, i fton të angazhohen dhe punojnë për vendin

Ferizaj | 14 Nën 2018 | 18:31 | Nga Norë Kelmendi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh kryetar i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, në një diskutim të hapur me të rinjtë e partisë së tij në degën e Ferizajt, i ftoi ata që të angazhohen dhe të punojnë për vendin e tyre.

Limaj tha se ëndrra e tij dhe e gjeneratës së tij ka qenë liria e Kosovës, të rinjtë e sotëm duhet ta kenë ëndërr kolektive ndërtimin e shtetit të Kosovës.

“Është takimi ynë i tretë i këtij formati dhe ka për qëllim diskutimin me të rinjtë tanë. Duam që të shpalosim planin tonë në dy pika të cilën e kemi përgatitur për ju, e pastaj me vazhdu me implementimin e saj”.

“Disa nga ju jeni në fillim të karrierës dhe në këtë fillim hasni në vështirësi të ndryshme, por kjo nuk ju bën të ndaleni për aktivitetet e juaja politike”.

“Gjenerata ime nuk ka guxuar të ketë ëndrra. Ne kemi lindur në një Kosovë të okupuar dhe prindërit tanë nuk kanë pasur mundësi të na ofrojnë atë që ju e keni sot”.

“Ëndrra jonë kolektive dikur ka qenë liria e Kosovës. Ka qindra shokë të mijë që kanë marrë pjesë në luftë vetëm t’ua sjellin mundësinë juve ta gëzoni lirinë. Ne si Nismë mendojmë që angazhimi për sukses po i mungon rinisë tonë kosovare. Nëse ne kemi pasur ëndërr lirinë e Kosovës, rinia jonë duhet ta ketë ëndërr ndërtimin e Kosovës”, u shpreh Limaj, raporton Ekonomia Online.

“Një pjesë e madhe e rinisë tonë nuk po e shpenzojnë kohën për gjëra të qëlluara; po e e shpenzojnë kohën kot. T’i shohësh djemtë e rinj nuk ka tip veture që nuk e njohin, ndërsa prindërit e tyre janë sakrifikuar për këtë vend dhe për ta”.

“Ne kur jemi dalë në fushatë kemi përmend disa projekte dhe sot kemi ardhur t’i zbërthejmë ato. Kemi ardhur këtu me kryetarin e Degës dhe ministrin Reçica të ju tregojmë se në Ferizaj ekziston qendra për aftësim profesional, ne do t’i qëndrojmë prapa këtij projekti deri në fund”.

Kreu i Nismës tha se se nëse nuk do të funksionojë Qeveria ajo do rrëzohet, deri sa edhe thotë se nuk duhet të gjitha fajet t’i hidhen Qeverisë së Kosovës, pasi që sipas Limajt ajo nuk mund t’i zgjidhë problemet individuale të secilit.

“Nuk zgjidhim asgjë nëse të gjitha fajet ia hedhin Qeverisë së Kosovës, pasi ajo nuk i zgjidh problemet individuale të secilit. Nëse kemi problem me Pallatin e Kulturës ku dëmtohet inventari, nuk është problem Komuna por kultura e juaj”.

“Duhet të bëhemi bashkë ta ndërtojmë Kosovën në të gjitha aspektet, nëse nuk funksionon Qeveria atëherë ekziston mundësia për ta rrëzuar. Mos rrini por punoni”.

“Ka programe ky shtet të vetëpunësimit dhe shteti mundet të i’u mbështes për vetë iniciativat e juaja, që t’i realizoni ëndrrat tuaja”.

“Sot rinia jonë ka mundësi ta sigurojë rrogën e tij prej shtëpisë sidomos ata të fushës së IT-së, vetëm duhet përkushtim dhe ambicie. Ftesa ime është për ata të cilët duan të kenë zanat, ta kryejnë talentin e tyre në qendra përkatëse”, u shpreh Limaj.

“Ne jemi të gatshëm të mbështesim çdo projekt vetë-inicues. Iu ftojmë të lajmëroheni në organet shtetërore, që t’i shfaqni idetë tuaja. Mos hiqni dorë nga ëndrrat e juaja pavarësisht sidave, ju ftojmë të mobilizojmë rininë e Kosovës, t’i bashkojmë idetë, t’i bashkojmë vetë-iniciativat”.

“Ne sot kemi ardhur të tregojmë se e mbajmë fjalën dhe e kemi programin”, ka thënë mes tjerash kreu i Nismës.

I shoqëruar dhe nga ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, kryetari i Nismës do të takojë sonte dhe të rinjtë në Kaçanik.

Të ngjashme