Limaj: Thaçi dhe të akuzuarit tjerë do ta mbrojnë luftën e UÇK-së në mënyrë dinjitoze

Prishtinë | 05 Nën 2020 | 12:40 | Nga Ekonomia Online

Kryetarit të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj pas ngritjes së aktakuzës nga Gjykata Speciale, për presidentin e vendit, Hashim Thaçi, ka thënë se që nga pas lufta disa herë udhëheqësit e UÇK-së, janë përballur me drejtësi, dhe se asnjëher nuk i janë shmangur drejtësisë.

Limaj përmes një postimi në Facebook, ka thënë kam besim të plotë se Thaçi dhe të akuzuarit tjerë do të mbrojnë luftën e UÇK-së në mënyrë dinjitoze.

Reagimi i plotë i Limajt

Të nderuar qytetarë të Kosovës,

Që nga përfundimi i luftës, disa herë është kërkuar që udhëheqës dhe ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të ballafaqohen me institucionet e drejtësisë ndërkombëtare dhe ato në Kosovë që drejtoheshin nga prokurorë dhe gjyqtarë ndërkombëtarë dhe asnjëherë nuk ka ndodhur që dikush të përpiqet t’i shmanget drejtësisë.

Përkundër vuajtjeve individuale dhe familjare që kanë ngërthyer në vetvete këto procese, unë kam besimin e plotë se bashkëluftëtari im, presidenti i vendit z. Hashim Thaçi dhe të gjithë të akuzuarit tjerë, luftën e UÇK-së do ta mbrojnë në mënyrë dinjitoze dhe në fund do të dalin faqebardhë nga ky proces.

Sado të rënda të jenë padrejtësitë kundër fateve individuale dhe kolektive që janë bërë dhe po bëhen ndaj luftëtarëve të lirisë, ne duhet të tregojmë lidership të vërtetë në këto rrethana të vështira për shtetin tonë.

Është moment i fundit që t’i bashkërenditim veprimet tona që të dëshmojmë se vërtet interesat e shtetit tonë i vëmë mbi interesat individuale. Bashkërenditja e politikave tona në këto momente shumë të rëndësishme do të dërgonte një mesazh të qartë te qytetarët dhe te miqtë tanë ndërkombëtarë që ia duan të mirën shtetit të Kosovës.

Vetëm të bashkuar dhe duke vënë në rend të parë interesat e shtetit të Kosovës, ne do t’i përballojmë me dinjitet të gjitha sfidat me të cilat jemi të ballafaquar. FL

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme