Limaj zbulon bustin e Komandant Kumanovës në Kleçkë

Prishtinë | 25 Gus 2019 | 13:07 | Nga Ekonomia Online

Sot është zbuluar busti i komandantit Ismet Jashari-Kumanova në oborrin e shkollës që e mban emrin e tij në fshatin Javor.

I pranishëm ishte edhe kreu i Nismës Socialdemokrate Fatmir Limaj i cili tha se falë Komandant Kumanovës në këtë rajon kujtohen vetëm dëshmorët dhe jo masakrat e civilëve.

“U mblodhëm sot sërish në Kleçkë për ta kujtuar atdhetarin dhe trimin Ismet Jashari-Kumanova, bashkë me shumë të tjerë që ja falën jetën lirisë së shenjtë dhe historisë sonë i dhanë madhështi e lavdi.

Ne kishim marr një goditje të jashtëzakonshme, shumë të rëndë para 21 vitesh, ishim para opsionit që nga kjo goditje të gjunjëzohemi apo ta kthejmë në forcë. Ishte një moment që UÇK në këtë zonë të rimobilizohej për të vazhduar rrugën e shokëve tanë apo të zhdukej dhe të ndërpritej ëndrra për çlirim.

Nëse do të ndaleshim do të tradhtonim gjakun e atyre që ne i humbëm. Nëse do të ndaleshim, forcat serbe do të futeshin në këto zona dhe do të masakronin familjarët tanë e popullin që ishte strehuar.

Pas kësaj goditje e dy dilemave, ne vendosëm që dhimbjen që na u shkaktua me vrasjen e Komandant Kumanovës e shumë të tjerëve, ta kthejmë në kujtim për veprat e tyre që do të na shërbenim të vazhdonim fuqishëm luftën ku e lanë ata.

Brigada 121 pësoi një goditje të madhe nga korriku e deri më 25 gusht, humbëm 14 luftëtarë e që ishte 70% e udhëheqjes së brigadës, ishin drejtues të saj.

Në takimin e 25 gushtit pas betejës së përgjakshme dhe rënies heroike të Ismetit e burrave tjerë si dhe plagosjes së disa shokëve, ne u mblodhëm dhe në atë moment kritik vendosëm dhe u ribetuam që kjo goditje e rëndë që na shkaktoi plagë do të na dhemb, por do ta kthejmë në forcë për ta rifuqizuar brigadën tonë e cila nuk u shua por u fuqizua shumë deri në çlirimin përfundimtar të Kosovës.

Sukseset e Brigadës 121 janë arritur për faktin se kishte rregull dhe gatishmëri për sakrificë. Vet rënia e Kumanovës tregon se sa ka qenë e përkushtuar Brigada 121.

Emri i Ismet Jasharit iu dha rrugëve, shkollave, iu dha Kosovës së lirë! Dhe, ne sot, zbuluam edhe bustin e tij te shkolla “Ismet Jashari – Kumanova”, shkollë e përbashkët e dy fshatrave, Javor dhe Luzhnicë.

Pas kaq viteve banorët e kësaj zone po i ruajnë shenjat e luftës sonë të lavdishme, shenjat e heronjve tanë, dëshmorëve tanë. Këta banorë në vazhdimësi kërkojnë që të mos shkëputet lidhja me luftën e lavdishme të UÇK-së. Busti është shenjë shtesë e fuqishme për tu treguar gjeneratave që vijnë se sa shumë kjo zonë lidhet me lirinë e Kosovës.

U jemi mirënjohës intelektualëve dhe banorëve të këtyre dy fshatrave që në luftë u angazhuan bashkë me ushtarët, por edhe që po i mbajnë të fuqishme lidhjet me të kaluarën tonë të lavdishme.

Lavdi e përjetshme Komandant Kumanovës dhe të gjithë atyre që dhanë jetën për lirinë e Kosovës”, tha Limaj.

Ndërkaq, familjarët e Ismet Jasharit thanë se janë të lumtur që në vendin ku ka kontribuar familjari i tyre banorët i presin ata si heronj.

I pranishëm në këtë ngjarje ishte edhe komandanti i Zonës Operative 121, Haxhi Shala, i cili u shpreh se është krenar që e ka njohur një njeri si Ismet Jashari.

“Me Komandant Kumanovën kemi shumë kujtime. Ai e ka pasë një fjali që thoshte ‘Pa shkelë mbi trupin tim nuk mund të vritet asnjë civil’”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme