Liria dhe frika: Kosova kujton luftën 20 vjet pas

Prishtinë | 11 Qer 2019 | 11:28 | Nga Ekonomia Online

20 vjet më parë në Kosovë po rridhnin lotët – të gëzimit ose të dëshpërimit, varet se në cilën anë ishit, kur u futën trupat e NATO-s për t’i dhënë fund luftës me Serbinë.

Për shqiptarët e Kosovës, 12 qershori i vitit 1999 ishte dita e çlirimit nga represioni i Beogradit.

Por për minoritetin serb kjo ishte një humbje që çoi në një kapitull të ri të frikës dhe pasigurisë.

Kjo e mërkurë shënon 20 vjetorin e pikës kthyese. Qeveria e Kosovës do të organizojë ceremoni festuese, në të cilën fjalim do të mbajë ish Presidenti i SHBA-së, Bill Clinton, një aleat i rëndësishëm në kohën sa ishte në detyrë.

Ndërhyrja tremujore e NATO-së përfundimisht i dha fund dhunës në mes të separatistëve shqiptarë dhe forcave serbe të cilat ishin nën drejtimin e të fuqishmit, Sllobodan Millosheviq.

Por pasi që dhuna kishte përfunduar, të dy palët kurrë nuk arritën pajtimin. Marrëdhëniet në mes të shqiptarëve të Kosovës dhe serbëve mbesin të tensionuara.

Kujtimet e 12 qershorit e theksojnë këtë ndarje.

Shpresa Gashi, këngëtare 68 vjeçare, shqiptare nga Kosova, kujton “shpërthimin e emocioneve” pas lajmit se trupat ndërkombëtare kishin hyrë në Kosovë.

Lufta që zgjati mbi një vjet e gjysmë u mori jetën 13 mijë vetave – shumica prej të cilëve ishin shqiptarë të Kosovës.

Në atë kohë, Gashi ishte njëra prej qindra-mijërave njerëzve që kishin dalë në vendet fqinje pas shpërthimit të luftës.

“Ishte hera e parë që unë pashë kënaqësi në mesin e refugjatëve nga Kosova”, kujton ajo.

Esat Rexhepi, 72 vjeçar që jeton në Prishtinë, mban gjallë kujtimet e asaj “dite të mrekullueshme”.

“Vesha rrobat më të mira, vura kollare dhe dola jashtë për të pritur trupat e NATO-s” thotë ai duke buzëqeshur.

Për Edita Brajshorin, 40 vjeçare që punon si frizere, çka nuk harrohet kurrë është zëri i muzikës që kumbonte nga dritaret që cilat ishin të mbyllura për muaj të tërë.

“Ishte e mundshme që të dëgjoje muzikë shqipe për herë të parë pas shumë vitesh”, ka thënë ajo për AFP, transmeton Klan Kosova.

– Frika dhe ekzili

Por frika dhe zemërimi ende dominojnë në kujtimet e serbëve të Kosovë, një komunitet i kapur gjatë shkëmbimeve të zjarrit.

Serbët kanë jetuar për shekuj në Kosovë, rajonin jugor që konsiderohet djep i besimit sipas Kishës Ortodokse.

Pas luftës, mbi shumë prej tyre ishte bërë presion qoftë për t’u larguar apo për t’u strehuar nëpër enklava.

Ka pasur poashtu një seri të sulmeve të hakmarrjes mbi këtë komunitet, që shihej si rezultat i asaj që Millosheviqi kishte bërë ndaj shqiptarëve.

Sipas Beogradit, 200 mijë serbë kishin lënë Kosovën si refugjatë dhe kishin shkuar në Serbi. Rreth 120 mijë kishin mbetur, shumica prej tyre në pjesën veriore përgjatë kufirit.

“Po qaja…e shihja ushtrinë tonë të tërhiqej teksa ndërkombëtarët hynin”, ka thënë Dobrosav Jakovljevic, një 73 vjeçar serb i cili jeton në pjesën veriore, një rajon i varfër.

Ai fajëson kreun e pamëshirshëm të Serbisë, Millosheviq për luftën, por ende ndjen se po veprohet keq.

“Shqiptarët po marrin gjithçka që duan, ne po humbasin gjithçka”, është shprehur ai.

Slavisa Jokic, 45 vjeç, kujton se si ai e lëshoi shtëpinë e tij në perëndim të Pejës pasi që “banditët” nisën t’i sulmojnë shtëpitë e serbëve.

“Njerëzit vriteshin në pikë të ditës dhe NATO nuk e lëvizte gishtin”, ka thënë ai.

Djordje Jovanoviq, 46 vjeç, mësues në qytetin e ndarë të Mitrovicës, poashtu kujton mërzinë kur pa trupat serbe të tërhiqeshin dhe kur trupat e NATO-s zinin pozicionet.

“Këtu kurrë më s’do të ketë Serbi”, kishte menduar ai në atë kohë.

Serbia efektivisht e ka humbur kontrollin në ish krahinën e saj dy ditë para 12 qershorit, kur Kosova ishte vënë nën mbrojtjen ndërkombëtare të OKB-së.

Por Beogradi kurrë nuk e ka pranuar pavarësinë që Prishtina e shpalli më 2008.

Kjo e ka lënë Kosovën në një harresë gjeopolitike, e përkrahur në SHBA dhe në Perëndimi, por që pavarësia e saj mohohet nga Beogradi dhe aleatët e saj Moska dhe Pekini.

Tensionet vazhdojnë që të shtohen në mes të armiqve të mëhershëm dhe rreth katër mijë trupa në NATO-s ende rrinë në Kosovë sot.

Tash Jovanoviq ndjen se prania e ushtarëve ndërkombëtarë është e domosdoshme.

“Le të rrinë. Nëse ata s’do të ishin, do të niste një luftë e re”.

Tekst i capitalfm.co.uk i përkthyer nga Klan Kosova.

Të ngjashme